‘Trepçës’ po i kthehet nami i dikurshëm

Dekretimi i Ligjit për “Trepçën” nga presidenti i vendit Hashim Thaçi mundëson ristrukturimin e përgjithshëm të “Trepçës”, investime në teknologjinë eksploatuese, hulumtuese dhe përpunuese të xehes, rritjen e numrit të punëtorëve të prodhimit deri në 1.5 milion tonë xehe në vit. Minatorët po thonë se “Trepçës” po i kthehet nami i dikurshëm

Dekretimi i Ligjit për “Trepçën” nga presidenti i vendit Hashim Thaçi ka hequr të gjitha dilemat dhe frikën se gjiganti ekonomik kosovar do të shkonte në likuidim.

Frika ishte shtuar edhe më shumë kur Lista “Srpska” kishte kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për “Trepçën” dhe anulimin e miratimit të ligjit, por që kërkesa e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës ishte refuzuar dhe menjëherë pas kësaj presidenti i vendit kishte nënshkruar ligjin.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, i cili ka vlerësuar përpjekjet dhe punën e institucioneve të vendit për ta miratuar Ligjin për “Trepçën”, tha se tani me dekretimin e ligjit nga presidenti Hashim Thaçi “Trepçës” i është hapur rrugë për zhvillimin e saj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Tmava ka ripërsëritur se deri më tani “Trepça” ka pasur statusin e mbijetesës dhe se me vështirësitë e mëdha që e kanë përcjellë mezi ka mbijetuar.

“Megjithatë, kemi pasur rezultate, prodhimi ka shkuar gjithmonë mirë, pagat e punëtorëve janë siguruar me kohë dhe kjo ka bërë që puna të mos ndalet asnjëherë. Me këtë ligj fillon një epokë e re e zhvillimit për ‘Trepçën’. ‘Trepça’ mbetet pasuri nacionale dhe e rëndësisë strategjike në Kosovë. Ligji mundëson ristrukturimin e ‘Trepçës” dhe është në funksion të ngritjes së mirëqenies sociale për banorët, jo vetëm të Mitrovicës por të gjithë Kosovës. Deri më tani ‘Trepça’ ka qenë me status të mbijetesës, ndërsa me këtë ligj kombinati i përcaktohet statusi zhvillimor, që nënkupton hapje të reja të vendeve të punës, mirëqenie për punëtorët, si dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë Tmava.