Në 2015, nga të gjitha shërbimet mjekësore janë kryer 39 522 operime

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Shëndetësisë 2015”.

Ky publikim ofron të dhëna: për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike shëndetësore, sipas gjinisë dhe shkallës së arsimimit; për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK); për aktivitetet e spitaleve të përgjithëshme; për vizitat në Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare; për treguesit themelorë të mjekimit spitalor; për shërbimet paraklinike; për të sëmurit me TBC; për sëmundjet ngjitëse në Kosovë, etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2015, ishte 14 033, prej tyre: mjekë specialistë janë 4 071, ose  21% e stafit; infermierë/e janë 8 520, ose 62%; dhe 1 442, ose 16% e stafit janë staf jomjekësor.

Numri i rasteve të trajtuara me sëmundje malinje ishte 2 469. Numri më i madh i rasteve të trajtuara me sëmundje malinje ishin melanoma dhe neoplazmat malinje të tjera të lëkurës me 464 raste, ose 18.8%, pasuar nga neoplazma malinje e gjirit me 439 raste, ose 16.1%.

Në Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) gjatë vitit 2015, ishin 877 266 ditë shërimi në nivel të Kosovës me 160 793 pacientë të shtrirë. Bazuar në raportet e pranuara, të cilat janë të paraqitura, rezulton që janë kryer 39 522 operime në nivel të ShSKUK-së.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i vizitave në Qendrat e Mjekësisë Familjare ishte 9 542 233 vizita  shërbime (parametra).

Gjatë vitit 2015, nga të gjitha shërbimet mjekësore në ShSKUK, 39 522 janë operime, kurse gjatësia mesatare e shërimit në ShSKUK është 5.4 ditë për pacientë të shtrirë.

Në QKUK është 6.6 ditë shërimi mesatar për pacient, ndërsa në spitalet e përgjithshme është 4.45 ditë shërimi për pacient. Shfrytëzimi i kapaciteteve është 60.03%. QKUK-ja ka shfrytëzueshmërinë e kapaciteteve me 65.74%, ndërsa spitalet e përgjithshme kanë shfrytëzueshmërinë me 53.35%.