Filloi fushata e spërkatjes së zonave endemike në Malishevë

Sot, në komunën e Malishevës, përkatësisht në fshatin Senik ka filluar realizimi i fushatës për dezinsektimin e zonave endemike, kundër rriqrave, si masë parandaluese në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale, për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK).

Fushatën e spërkatjes së zonave endemike, e ka parë nga afër edhe shtabi komunal, për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Këtë fushatë, e kanë parë nga afër sot, anëtarët e shtabit komunal, nënkryetari i komunës, Rexhep Mazreku, drejtori i Shëndetësisë, Hajdin Berisha, ai për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi dhe drejtori i Bujqësisë, Murat Hoxha.

Me këtë rast, nënkryetari Mazreku, ka kërkuar që qytetarët të jenë bashkëpunues gjatë kësaj fushate, pasi qëllimi i Komunës së Malishevës dhe të gjitha organeve tjera, është parandalimi i infektimit me virusin e etheve hemorragjike.

“Falë këtij angazhimi të vazhdueshëm, tri vite i kemi kaluar pa raste të vdekjeve nga ky virus, prandaj, kërkoj që të jeni bashkëpunues dhe ti ndihmoni organet përgjegjëse, në mënyrë që këto fushata, përmes së cilave po e luftojmë këtë sëmundje, të kenë sukses sikur tri vitet e kaluara dhe të mos kemi më raste të vdekjeve”, tha Mazreku.

Drejtori për Shëndetësi, Hajdin Berisha, tha se situata është nën kontroll dhe pavarësisht rasteve të thumbimeve, nuk kemi raste të infektuara me virusin e EHKK.

“Edhe rastet e thumbimeve janë më të pakta këtë vit, së paku deri në këtë periudhë, ndërsa komuna është e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e EHKK. Edhe kjo fushatë e dezinfektimit kundër rriqrave, financohet nga buxheti komunal i Malishevës, që tregon më së miri përkushtimin tonë, në mbrojtjen e jetës së njerëzve”, tha Berisha.

Në Komunën e Malishevës, që nga pas lufta, kanë vdekur 18 persona si pasojë e infektimit me virusin e EHKK, ndërsa në tri vitet e fundit, nuk ka asnjë rast të infektuar. /Telegrafi/