Alarmante: 116 persona të vdekur sivjet në aksidente

Aksidentet me fatalitet janë rritur dukshëm në rrugët e Kosovës. Shqetësuese mbetet rritja e të vdekurve ndër vite nga këto aksidente.

16 persona më shumë kanë humbur jetën këtë vit në aksidente në krahasim me vitin e kaluar, përkatësisht nga 100 të vdekur sa kanë qenë në vitin e kaluar deri në muajin nëntor, në këtë vit janë 116, shkruan Indeksonline.

Vetëm në muajin nëntor të këtioj viti jetën kanë humbur 14 persona, derisa në nëntorin e kaluar numri i të vdekurve ka qenë 8.

Po ashtu në muajin korrik ku fluksi i automjeteve është i madh, këtë vit ka shënuar statistikën me të lartë të aksidenteve me fatalitet, ku 17 persona kanë vdekur brenda një muaji, ndërsa në vitin e kaluar për këtë muaj kanë vdekur 9 persona.

Sipas një tabele të policisë dhënë Indeksonline edhe numri i personave të lënduar në aksidente ka qenë dukshëm më i madh këtë vit në krahasim me vitin 2016.

Nga 10 252 të lënduar në vitin 2016, ky numër është rritur në 10 637.


Policia për shkak të këtyre statistikave mjaft shqetësues ka apeluar pjesëmarrësit në trafik në veçanti shoferët të jenë me vigjilent në komunikacion, sidomos tash në sezonin dimëror.

“Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, posaçërisht në këtë periudhë kur kanë filluar ndryshimet atmosferike: reshjet e borës, mjegullat, ku gjatë natës dhe në orët e mëngjesit kemi kufizim të dukshmërisë dhe paraqitje të ngricave të cilat mund të vështirësojnë qarkullimin nëpër rrugët tona. Drejtuesit e automjeteve të posedojnë pajisje dimërore të parapara sipas ligjit të trafikut”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.