KEK-u paralajmëron krizë energjetike – fton banorët e Shipitullës e Hades t’i nënshkruajnë kontratat për zhvendosje

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ka bërë thirrje banorëve të Hades e Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat për zhvendosje nga shtëpitë dhe pronat e tyre.
Korporata, përmes një komunikate për media, ka ftuar këta banorë që kontratat t’i nënshkruajnë më së largu deri më 15 dhjetor.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u bën thirrje banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që brenda afateve ligjore të lajmërohen në zyrat e KEK-ut- Departamenti Pronës, për të nënshkruar marrëveshjet për zhvendosje jo me vone se deri me 15 dhjetor 2017”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
KEK-u më tutje në komunikatë nënshkrimin e kontratave të zhvendosjes e konsideron në të mirë të banorëve.
“Është në të mirën e banorëve dhe të gjitha palëve të interesit që ky proces të përfundojë sa më shpejt, pra brenda afateve ligjore dhe mos të kemi edhe më tutje vonesa që rrezikojnë funksionimin e mirëfilltë të korporatës”, vijon komunikata.
Sipas KEK-ut, vonesa në këtë proces po rrezikon furnizimin me energji elektrike.
“Vazhdimi i vonesave po e rrezikon vendin të mbetet pa energji elektrike, ose të paguajnë me çmimin shumëfish me të lartë për import të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
KEK-u, ofertat e veta dhe të Qeverisë për banorët e këtyre dy lokaliteteve i vlerësoi si “shumë të volitshme”.
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndër proceset e para me të cilat u mor pasi mori mandatin, ishte çështja e shpronësimeve në Shipitullë e Hade.