Hyseni: Pranimi i raportit të Mehës tregon besueshmërinë në institucione

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka deklaruar që ndër dokumentet e dërguara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësimin e Kosovës, janë edhe dy harta që flasin për territorin e Kosovës.

Referenca kryesore e këtij dokumentacioni është Kushtetua e Krahinës Autonome të Kosovës e vitit 1974.

“Kushtetuta e Krahinës Autonome të Kosovës e vitit 1974 e definon territorin kështu; territori i Kosovës përbëhet nga territori i komunave, e territori i komunave përbëhet nga zonat kadastrale”, ka treguar Hyseni.

“Është fundamentalisht parimi kadastral i referuar qartë në kushtetutën e vitit 1974”, ka thënë Hyseni në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Hyseni ka thënë që qeveria Mustafa ka gjetur pothuajse të përfunduar punën e komisionin shtetëror te udhëhequr nga Murat Meha dhe se ka vazhduar procedurat, duke besuar në institucionet kosovare.

“Krejt çka ka bërë kjo qeveri është që ka dërguar tutje përgjegjësitë shtetërore, që i bie që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë fuqishëm në institucione”, është shprehur ai.

“Procedura ka qenë normale. E aprovon qeveria, në bazë të raportit është përpiluar projekt marrëveshja në bashkëpunim me Malin e Zi, pastaj presidentja e vendit autorizon nënshkrimin nga ministrat e të dyja vendeve”, ka thënë Hyseni.

“Nëse një komision për përcaktimin e vijës për matjen e territorit, komision profesional, çka më jep të drejte mua të kontestoj apo të hamendësoj atë”, është shprehur ai.