Mali i Zi po i shkelë rregullat ndërkombëtare, s`mund ta neglizhojë vendimin e Kosovës!

Versioni i demarkacionit me Malin e Zi, i nënshkruar në vitin 2015, mund të kthehet në pikën zero nëse Kuvendi i Kosovës vendosë që ta rrëzojë atë në njërën nga seancat e radhës. Por, një gjë të tillë duhet ta kuptojë Mali i Zi, udhëheqës të së cilit kanë bërë me dije që për ta dermarkacioni është punë e kryer.

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu ka thënë për “Indeksonline” se demarkacioni nuk është i njëanshëm dhe si i tillë, Mali i Zi nuk mund të vendosë se marrëveshja është përmbyllur, pa e kryer këtë çështje edhe Kosova.

Sipas tij, është e logjikshme që malazezët ta mbyllin këtë temë meqë do të fitonin një pjesë të territorit të Kosovës.

“Nëse nuk ratifikohet versioni i mëparshëm por ky i riu, Mali i Zi dhe të tjerët duhet ta kuptojnë se çështja kthehet në pikën 0, sepse nuk mund të imponohet një marrëveshje ndaj një shteti tjetër. Pa kaluar në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të trajtohet si punë e kryer, andaj Mali i Zi duhet të përgatitet që ta rinegociojë marrëveshjen dhe nga fillimi, në baza shkencore të së drejtës ndërkombëtare ta negociojë sepse padrejtësisht marrëveshja i është imponuar Kosovës meqë Kosova është evidente se ka humbur territor. Nëse këtë nuk e bën Mali i Zi, e që ka deklaruar se nuk pranon as Arbitrazh (është e logjikshme sepse merr territor të huajin), atëherë çështja mbetet e hapur siç janë të hapura në numër çështje të tilla, Kroacia me Slloveninë, Kroacia me Serbinë. Pra duhet pasur kujdes, të respektohen marrëdhëniet dhe në një moment tjetër të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë ai.

Këmbënguljen e Podgoricës, Baraliu e ka quajtur veprim të papranueshëm dhe të papërgjegjshëm. Sipas tij, në asnjë konventë ndërkombëtare nuk thuhet se mund të neglizhohet veprimi i palës tjetër, siç po bën Mali i Zi kundrejt Kosovës.

“Nuk mundet asnjë shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare që të pretendojë që njëanshëm t`i vëjë gjërat para aktit të kryer. Kjo është e papërgjegjshme dhe e papranueshme. Nuk bazohet as në ligj ndërkombëtar as në konventa ndërkombëtare, andaj Mali i Zi nuk mund ta neglizhojë veprimin e palës tjetër, në këtë rast ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, sepse pa u kryer kjo këtu nuk është çështje e kryer për Malin e Zi, kot që e kanë ratifikuar ata”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, secili deputet duhet ta votojë demarkacionin në versionin e ri, meqë kufiri ka qenë në Kullë e Çakorr dhe aty duhet të mbetet.

“Supozoj dhe besoj se raporti i ri i demarkacionit është vlerësuar shkencëtarisht, në baza profesionale dhe në interes të vendit sepse për gjithkënd është njohur se kufiri ka qenë në Çakorr dhe në Kullë, dhe aty duhet të mbetet. Nuk ka pasur nevojë për ato gara që bëheshin pozitë-opozitë dhe as për kushedi çfarë shkence të thellë sepse aty ka qenë dhe aty duhet të jetë. Është normale se çdo deputet që ka marrë mandatin nga votuesit duhet ta votojë këtë version dhe asnjë tjetër”, është shprehur ai.