​Haradinaj: Demarkacioni tani është në duart e deputetëve

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e ka proceduar në Kuvend raportin e komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, dhe se është në dorën e deputetëve që të vendosin për këtë çështje.

Por ai nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e ambasadorit amerikan Greg Delaëie dhe as të partive opozitare.”Qeveria e Kosovës  me seriozitetin më të madh e ka trajtuar këtë temë dhe  ka marrë me respekt dhe shqetësimet në të kaluarën  për marrëveshjet. E kemi shkarkuar komisionin paraprak. E kemi emëruar komisionin e ri të udhëhequr nga profesor Bulliqi. Të gjeturat e këtij komisioni tani janë publike të gjitha. Janë prezantuar në Qeveri. Pra është një proces vërtetë i punuar me respektin më të madh, me seriozitetin më të madh. Dhe po ashtu ne e kemi përmbush edhe detyrën tonë, që të gjitha këto të gjetura,  marrëveshjen ia kemi kaluar deputetëve, tani  ata vendosin. Ne i nënshtrohemi Parlamentit. Pra Qeveria i nënshtrohet,  i jep llogari Parlamentit. Ne e kemi dorëzuar në Parlament. Isha privu prej komenteve. E di që të gjithë po e marrin flamurin në një drejtim të caktuar,  janë tema serioze. Seriozisht i kemi trajtu. Parlamenti duhet ta merr seriozisht po ashtu vlerësimin.  Deputetët e kanë fjalën”, tha ai.

Ndërkaq ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, tha se nuk mund të komentojë rreth këtij procesi, pasi që çështja e demarkacionit është çështje e brendshme e Kosovës. Megjithatë ai pohoi se shqetësim për ta mbetet numri i madh i kërkesave për viza, nga qytetarët kosovarë. Ndërsa tha se shpreson që të bëhet një zgjidhje, që Kosova të marrë në mënyrë të shpejtë liberalizimin. “Kjo është çështje tipike e brendshme e Kosovës. Si ambasador i Zvicrës ne e trajtojmë çështjen e vizave të 5 vendeve dhe mund të them se është një punë aspak e mirë sepse çdo vit rriten në 25 përqind kërkesat për viza . Tani jemi tek 37 mijë kërkesa për viza. Njerëzit që presin para ambasadës sonë nuk janë shumë të rinj dhe nuk jam i lumtur me këtë situatë. E dyta unë e përfaqësoj Zvicrën dhe nuk jam këtu t’u sqaroj politikanëve lokal, çfarë duhet të bëjnë. Nuk do të merrni ndonjë deklaratë nga unë këtu. Ne kemi diskutuar privatisht për këtë çështje. Ne tërësi shpresoj të bëhet  një zgjidhje jo vetëm për demarkacionin por dhe për çështje tjera që janë në agjendë që Kosova të marrë në mënyrë të shpejtë liberalizimin e vizave”, tha ai.