Limaj vazhdon turin e falënderimit, në Ferizaj thotë se përkundër propagandave njerëzit i besuan fjalëve të tij

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka vazhduar turin e falënderimit për besimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në përballjen e tij disa vjeçare me padrejtësinë në rastin e njohur si MTPT. Limaj gjatë një vizite bërë degës së Nismës në Ferizaj ka falënderuar banorët e kësaj zone për besimin në të dhe rreshtimin pas Nismës për Kosovën.

“Rreshtimi i juaj në momentet kur kishte filluar një furtunë e orkestruar nga njerëz të ligë për të penguar  të gjithë ata që i shihnin si pengesë drejt realizimit të objektivave të tyre dhe kjo fushatë e orkestruar ishte ndihmuar nga shumë akterë.

Nuk ka qenë lehtë në atë kohë njerëzit, miqtë me i bërë ballë gjithë asaj propagande që ishte përgatitur. Besimin që ma kanë dhënë njerëzit e Kosovës, ka qenë forcë dhe motiv për të vazhduar në luftimin e të gjithë padrejtësive dhe punuar për vendin tonë. Unë ndihem krenar para qytetarëve të Kosovës dhe njerëzve të Nismës dhe i shoh të gjithë në sy duke ju thënë se para jush e keni drejtuesin i cili nuk rren dhe shpifë. Në vitin 2010 kam deklaruar se disa njerëz në emër të ligjit po duan të rrënojnë njerëz. U deshën të shkojnë afër 8 vjet për të dalë ajo fjalë që kemi thënë para gati 8 viteve se i kemi shërbyer vendit dhe nuk i kemi marrë asgjë këtij vendit”, ka thënë Limaj.

Më tutje, Limaj ka thënë se të gjithë duhet të punojmë që askujt t’i mos i ndodhin padrejtësitë. Kosova, sipas tij, ka nevojë për drejtues lokal e qendror të cilët dinë të marrin vendime në momentet e duhura.

“Kosovës i duhet njerëz të cilët e mbajnë fjalën. Ju i keni besuar fjalës time prandaj jemi bërë bashkë. Ftesa ime është nga këto fitore që i kemi arritur për afro 4 vjet dhe kjo e fundit të na shërbej për mobilizim të mëtutjeshëm. Kemi dërgu sinjale se do ta drejtojmë ndryshe vendin, se do ta mbështesim prodhimin vendor. Kosovën më nuk do ta trajtojnë sikur më herët. Ju do t’i shihni rezultatet. Nisma është në Qeveri për të kryer punë”, ka theksuar Limaj.

Në anën tjetër, kryetari i degës së Nismës në qytetin e Ferizajt Besnik Berisha ka thënë se përkundër montazheve dhe fabrikimeve qytetarët e Ferizajt dhe Kosovës në përgjithësi nuk kanë hequr dorë se besuari në pafajësinë e Limajt.

Të ligët ai ka thënë se kanë orkestruar spektakle mediale për të rrënuar reputacionin e Limajt, por që siç thotë ai këto kurtha të tyre kanë dështuar.