OAK: Akciza e naftës në Kosovë, më e larta në rajon

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit “Tregu i naftës në Kosovë”, organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, ku u diskutuan temat për ligjin e naftës, kontrollin e cilësisë dhe sasisë së naftës, licencat, kyçja në rrugë dhe ndotja e ambientit nga përdoruesit e naftës si dhe për akcizën.

Drejtori ekzekutiv në OAK, Ismet Mulaj, ka thënë se OAK do të jetë një avokat dhe zë i fuqishëm për operatorët ekonomikë të naftës dhe këtij sektori për rregullimin e kësaj fushe që ky sektor të jetë më i besueshëm te konsumatori.

“Jemi këtu për të gjetur zgjidhje se si të tejkalohen problemet që e ngarkojnë sektorin e naftës. Në vendet e botës sektori i naftës është aset kryesor dhe tragjike i një vendi, do të doja që edhe në Kosovë të ishte, por do të doja që ky sektor të kishte më shumë besim te konsumatori. E di që nuk është për fajin e këtij biznesi që mungon ky besim, por faji diku ekziston diçka më shumë te institucionet e diçka më pak të bizneset”, ka thënë Mulaj.

Sherif Sherifi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se për cilësinë e naftës është kompetent Dogana e Kosovës me trupat e saj në kufi, ndërsa, brenda për brenda territorit të Kosovës, kompetencë ekskluzive është e inspektoratit të tregut.

“Në bazë të planit të monitorimit, dy herë në vit ka kontrolle të rregullta tek subjektet ekonomike, ndërsa të tjerat varësisht nga kërkesat nga opinioni publik për ndonjë të metë nëse ka te derivatet. Ndërsa, trupat e vlerësimit të konfirmitetit rregullohen në bazë të udhëzimit administrative, që për momentin më këtë Udhëzim janë bartur kompetencat te Dogana e Kosovës, e cila është e thirrur ta bëjë organizmin së bashku me trupat e konfirmitetit për cilësinë e naftës e cila hyn në kufi”, ka thënë Sherifi.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se të gjithë janë të interesuar për një treg liberal, mirëpo kjo nuk po arrihet shkak i mungesës së ligjit, i cili nuk po arrin të miratohet në Kuvend. Ai ka thënë se sa i përket ndotjes së ambientit ka thënë se ky sektor nuk është dëmtues i ambientit.

“Ligji i naftës prej vitit 2011 shkon në kuvend dhe hiqet prej kuvendit, përshëndes të gjithë deputetë që nuk e kanë lejuar një ligj të centralizuar dhe të korruptuar të kalon… Neni 5.6, ky është pse nuk kalon ligji, pse ligji u refuzuar qe shtatë herë. Andaj, duhet të hiqen prej tregut të punë mbi 40 kompani. Kërkesa e shoqatës së naftëtarëve ka qenë që të gjithë të kenë të drejtën të punojnë dhe mos të hiqen prej tregut. Kur e them këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse ndoshta dikujt I konvenon që ky nen të hiqet, por deri më tani deputetët nuk e kanë lejuar dhe nuk do të lejojnë në qoftë se donë një treg të hapur, liberal të jenë të gjithë të barabartë”, ka thënë Berjani.

Ndërsa, kryetari i OAK Skënder Krasniqi, ka thënë se akciza e naftës në Kosovë është dukshëm më lartë se ajo në vendet e rajonit, e cila po ndikon në çmimin e lartë të derivateve në Kosovë. Ai mori shembull se shumë qytetarë kosovarë shkojnë në Maqedoni për t’u furnizuar me derivate për shkak të çmimit më të ulët. Krasniqi po ashtu ka kërkuar sqarime si është e rregulluar ligjërisht çështja e distancës ndërmjet pompave në Kosovë.

“Akciza në Kosovë është 280-300 euro për ton, ndërkohë Maqedonia ka 95 euro për ton, në Shqipëri 105 dollarë, atëherë mbi çfarë baze është rritur kjo akcizë dhe a është duke dëmtuar shumë biznesin në këtë drejtim , duke marrë parasysh se mijëra qytetarë shkojnë në Maqedoni, sepse një mbushje e naftës së paku 15 euro është më lirë dhe a është kah e dëmton biznesin kosovarë duke ulë kërkesën këtu?”, ka pyetur Krasniqi.

Në fund OAK adresoi disa rekomandime se si operatorët e këtij sektori të jenë më të suksesshëm në veprimtarinë e tyre.