Haradinaj-deputetëve: S’keni qare pa e votu demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare u është përgjigjur pyetjeve dhe ka replikuar me të gjithë deputetët sot.

Ai në një moment u ka thënë deputetëve se do ta votojnë programin qeverisës pa qare, raporton Indeksonline.

“S’keni qare pa e votuar, sepse me këdo që jeni takuar keni thënë se do ta votoni”, ka thënë Haradinaj.

Madje ai duke qeshur ka thënë se i vjen mirë që ka kaq shumë autoritet tek deputetët.

Kujtim Shala i LDK-së iu përgjigj Haradinaj duke thënë se nuk kanë kurrfarë zori vetëm se do të votojë ashtu siç votoi në Qeveri Kryeministri.

Por Haradinaj e sqaroi votimin e tij në Qeveri të marrëveshjes me Malin e Zi, duke thënë se ajo është gjetur aty.

“Jam habitë, e kam nënshkruar edhe këtë. Prapë se prapë do të votoni. Nuk e kam ditë që e kam këtë autoritet tek ju. Unë e kam dëgjua qëndrimet e subjekteve politike për këtë temë. Nuk e ka prodhuar Qeveria. Shikoni, Qeveria e re, mundet veç me thonë ja kemi shtuar raportin kësaj marrëveshjeje, tani raporti ka mundur të vije ndaras, njëherë raporti pastaj marrëveshja por për hir që t’ju ndihmoi deputetëve i kemi çuar bashkë. Atëherë unë kam votuar të kalojnë në parlament këto vendime. Kur vjen votimi edhe ju gjeni ndonjë zgjidhje se pe shoh qe jeni ne zor te madh”, tha Haradinaj.