Limaj: Agjensionet e Pavarura duhet të funksionojnë sipas politikave të institucioneve shtetërore

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka kritikuar qasjen e Agjensioneve të Pavaruara e veçanërisht agjensionin e AKP-së.
Limaj në seancën ku po debatohet për programin e Qeverisë ka thënë se ka ardhur koha që politikat e vendit të mos bëhen në 50 vende. Agjensionet sipas tij, nuk i përfillin prioritetet e Qeverisë dhe institucioneve qendrore.
“Agjensionet funksionojnë sipas politikave të veta. Në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Investime Strategjike dhe ata vazhdojnë të privatizojnë toka bujqësore të cilat do të mund t’i ofroheshin investitorëve potencial të huaj e vendor. Kjo nuk është çështje e Qeverisë Haradinaj, por e të gjithëve. Agjensionet po funksionojnë totalisht në kundërshtim me politikat e Qeverisë”, ka thënë Limaj.
Tutje, Limaj ka folur edhe për temat nacionale. Ka thënë se një grup politik nuk mund t’i shtyjë përpara këto temat. “Temat nacionale sa herë qe një qeveri e ka kapur flamurin ka dështuar. Në tema nacionale duhet të provojmë të bëjmë konsensus të përbashkët në të mirë të vendit”, ka shtuar Limaj.