Ismaili: Sigurimet prioritet kombëtar, do të bëhen gjatë këtij mandati

Sigurimet Shëndetësore duhet të shndërrohen në prioritet kombëtar, prandaj edhe unë do të angazhohem që kjo të realizohet brenda mandatit tim. Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

“Sigurimet shëndetësore janë një barrë e madhe që është krijuar në Kosovë për vite me radhë. Unë mendoj që këtë mund dhe do ta bëjmë gjatë kësaj qeverisjeje. Jo pse unë kam nevojë për të, por pse ju keni nevojë për të. Pse 90 për qind e qytetarëve tanë kanë nevojë për të. Sigurimet shëndetësore janë prioritet kombëtar, prandaj edhe unë do të angazhohem që ta realizojmë gjatë këtij mandati”, ka thënë Ismaili.

Më tej, ministri Ismaili ka folur edhe për menaxhmentin dhe odat e mjekëve. Ai ka thënë se secili person që kryen menaxhmentin në shëndetësi, do të gjejë punë. ‘Në menaxhment, unë po ju bëj thirrje publike të gjithë njerëzve që kanë menaxhment të kryer në shëndetësi, se nuk ka asnjë dozë ndikimi politik për të arritur te kuadri që na duhet”, ka thënë ai. Sa i përket odave, Ismaili ka thënë se ai do t’u delegojë përgjegjësitë që u takojnë. “Sa u përket odave, ky është trup që u takon mjekëve, është përgjegjësi e tyre dhe unë do t’ua delegoj përgjegjësitë që u takojnë”, ka përfunduar ai.