Molliqaj i del në krahë Aida Dërgutit kundër Albin Kurtit

Njeriu i fortë i LVV, për të cilin po flitet shumë në opinion, i ka dalë në krah Aida Dërgutit, në një postim që kjo e fundit e ka bërë në FB, e në të cilin ajo flet për probleme të thella në LVV.

Deri tash është spekuluar, tash gjërat janë shumë të qarta. Dardan Molliqaj është pozicionuar fuqishëm në krah të Aida Dërgutit, e cila në një mesazh në viber e ka quajtur Kurtin “ai muti”.

Në sqarimin që e ka bërë Dërguti në FB, në të cilin kërkon falje për përdorimin e frazës së gabuar, ajo ka folur për probleme serioze dhe të thella në LVV.

Në këtë postim të saj kanë vërshuar fyerjet e aktivistëve të LVV, mirëpo i njëjti është pëlqyer nga Dardan Molliqaj. Ai në këtë mënyrë ka vendosur që të pozicionet qartë dhe pa asnjë dyshim në krah të Aidës.

Në anën tjetër edhe më tutje për këtë cështje nuk kanë shkruar asnjë fjalë zyrtarë të tjerë të partisë, duke e përfshirë Shpend Ahmetin, Visar Ymerin dhe të tjerët.

Mesazhi telefonik i Aida Dërgutit, në të cilin ajo i referohet Kurtit si “ai muti” ishte një përshpejtim i një beteje që pritej të ndodhte në pranverë, kur LVV e kishte Kongresin e radhës, e në të cilin pritej që të zgjedhej kryetari i partisë, ose të rizgjedhej kryetari aktual.

Express, nga burimet e saja, mëson se Kurti ka pasur synime të qarta që të rikthehej edhe formalisht në krye të partisë gjatë kongresit. Një gjë e tillë, para tri viteve, kur Kurti e kishte lëshuar këtë pozitë vullnetarisht, do të ishte konsideruar një gjë e lehtë. Ai pozitën ia kishte dhuruar me të dy duart e tij Visar Ymerit, për të kënaqur statutin e partisë. Mirëpo, të gjithë e kishin ditur që Kurti planifikonte ta rimerrte pozitën e Kryetarit këtë pranverë. Megjithatë gjërat ndryshuan në ndërkohë. Të gjithëve ju rritën ambiciet. Kurti nuk konsiderohej më në parti aq i paprekshëm, e çfarë është edhe më e çuditshme, gati e pabesueshme, edhe Visar Imeri filloi ta shihte vetën të rizgjedhur në krye të partisë, kundër vullnetit të mësuesit të tij, Kurtit.

Visar Ymeri në vitin e fundit ka ndryshuar anë, duke kaluar nga krahu i Kurtit në krahun e Molliqajt. Në këtë krah, Express mëson, gjendet edhe komplet ai që njihej dikur si fraksioni i FER’it, e në të cilin ndodhet edhe Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Ylli Hoxha, por edhe figura të tjera të LVV’së, si Aida Derguti.

Në anën tjetër Kurti ka afër vetës figurat më të vjetra, si Liburn Aliu, Xhelal Sveqla, Hysen Durmishi, e sipas të gjitha gjasave edhe Glauk Konjufca.