Mustafa – koalicionit: Bëni votat për Demarkacionin, LDK ju ndihmon

Ai ka thënë se nëse koalicioni i ka votat, atëherë edhe LDK-ja “do ta ndihmojë këtë proces”.

Këto deklarata ai i bëri pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së ku pikërisht temë e diskutimit ishte çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, raporton Lajmi.net.

“Ne biseduam për çështjen e Demarkacionit dhe propozimet e Qeverisë që në Kuvend ta procedojë ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje. Ne si LDK besojmë se është përgjegjësi e koalicionit që ata t’i sigurojnë votat dhe disponimin që ta përkrahin marrëveshjen në Kuvend. Nëse koalicioni i ka votat edhe ne do ta ndihmojmë këtë proces”, deklaroi kryetari i LDK-së.

“Është çështje e jona që karshi vlerësimeve tona ta ndihmojmë këtë proces, pasi duam që qytetarët e vendit të lëvizin lirshëm, të udhëtojnë të lirë”, theksoi Mustafa.
Sipas tij, deklaratat e Haradinajt dje gjatë ditës në Kuvend janë joserioze. Mustafa pretendon se një kryeministër nuk mundet ta propozojë një projektligj, dhe atë ta kontestojë vetë.

“Deklarata e Haradinajt në Kuvend janë joserioze, sepse nuk mundet një kryeministër t’ia propozojë një projektligj Kuvendit dhe atë ta kontestojë vetë. Nëse kryeministri dhe partnerët e koalicionit sigurojnë votat, atëherë LDK-ja do të jetë e përgjegjshme për qytetarët”, përfundoi Isa Mustafa.