As Rambouillet s’ka qenë e përkryer, por solli çlirimin, as Ahtisaari s’ka qenë i përkryer, por solli shtetësinë…

Shkruan: Adriatik Kelmendi

As kësaj radhe askush s’po thotë që Marrëveshja e Demarkacionit është e përkryer, mirëpo duhet bërë çmos që te shqiptarët të mbizotërojnë edhe një herë arsyeja e vizioni, ta fitojnë edhe të drejtën e fundit të merituar, por të mohuar – lirinë e lëvizjes.

ASKUSH ASNJËHERË nuk ka thënë se Marrëveshja e Rambouilletsë ka qenë e përkryer, mirëpo ja që fatmirësisht te shqiptarët mbizotëruan arsyeja dhe vizioni – shqiptarët e pranuan dhe ndodhi çlirimi i Kosovës.

Serbët nuk ishin të arsyeshëm e as vizionarë dhe nuk e nënshkruan – Serbia u bombardua nga aleanca më e madhe ushtarake e botës, NATO-ja, dhe në fund u detyrua të tërhiqej nga Kosova.

Çka do të kishte ndodhur nëse shqiptarët do ta refuzonin, kurse serbët ta pranonin?!

Askush as për Pakon e Ahtisaarit asnjëherë nuk ka thënë se ka qenë e përkryer, mirëpo ja që prapë te shqiptarët mbizotëruan arsyeja e vizioni – Kosova u pavarësua, u bë shtet.

Serbët edhe atëherë nuk ishin as të arsyeshëm, as vizionarë dhe nuk e pranuan – ironikisht këto ditë po mbahen gjykimet në Serbi për personat që në shenjë hakmarrjeje për pavarësinë e Kosovës dogjën Ambasadën Amerikane në Beograd.

Çka nëse shqiptarët do ta refuzonin, kurse serbët ta pranonin?!

As kësaj radhe askush s’po thotë që Marrëveshja e Demarkacionit është e përkryer, mirëpo duhet bërë çmos që te shqiptarët të mbizotërojnë edhe një herë arsyeja e vizioni – ta ratifikojnë në Kuvend. Pastaj të arrijnë konsensus politik e shoqëror që nëse vërtetohet se ka lëshime t’i argumentohen ato edhe BE-së, edhe SHBA-së e edhe Malit të Zi dhe të angazhohen për përmirësim. Malazeztë e ratifikuan dhe sot janë anëtarë të NATO-s. Prishtina nëse nuk e ratifikon, e fut veten në një spirale të paparashikueshme politike, domosdo të rrezikshme, e cila mund të sjellë pasoja të pariparueshme për qytetarët. Nëse e ratifikon, hap dyert që përfundimisht edhe qytetarët e Kosovës, pas çlirimit, pas pavarësimit, ta fitojnë edhe të drejtën e fundit të merituar, por të mohuar – lirinë e lëvizjes.

A KA QENË e drejtë që u desh të ndodhnin masakrat e Prekazit, Abrisë, Rezallës e Reçakut që më në fund të organizohej një konferencë ndërkombëtare në të cilën do të kërkohej që viktima dhe kasapi të ulen bashkë në një tavolinë?

A ka qenë korrekte që të tolerohen shkeljet e të drejtave të shqiptarëve gjatë gjithë viteve ’90, të mbyllen shkollat, të dëbohen nga puna, të diskriminohen në çdo aspekt vetëm pse janë shqiptarë; kurse të pritet që të vijnë vrasjet e foshnjave, grave dhe pleqve në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë për ta çliruar popullin e Kosovës?

Kosova është çliruar më së voni nga hegjemonia e Beogradit, por më mirë vonë se kurrë.

Nuk ka qenë e drejtë, as që u nevojiten gati 10 vjet nga çlirimi i Kosovës që t’u mbushej mendja shteteve të fuqishme perëndimore se s’ka rrugë tjetër përveç pavarësisë. Sllovenia ishte pavarësuar, edhe Kroacia e Bosnja, edhe Maqedonia e Mali i Zi. Pse gjithë kjo vonesë e padrejtë për Kosovën? Mirëpo, sërish, sot jemi të pavarur.

Absolutisht nuk është e drejtë që BE-ja ia ka vënë Kosovës gjithsej 95 kritere me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, më tepër se secilit shtet, i cili ka fituar liberalizimin në rajon. Duke i përmbushur 94 kritere (hiq demarkacionin), i bie se Kosova qëndron më mirë se secili shtet tjetër, i cili ka fituar liberalizimin, meqë atyre iu është dashur të plotësonin shumë më pak kritere. Nuk është e drejtë që Kosova ka qenë në një grup me shtetet si Gjeorgjia dhe Ukraina – shtete të cilat sot nuk kontrollojnë fare pjesë të territorit të vet – mirëpo kanë fituar liberalizimin. Është e dhimbshme, gjithsej 48 milionë ukrainasve e gjeorgjianëve që s’e dinë se ku i kanë kufijtë e shteteve të tyre u jepet lëvizja e lirë, më pak se 2 milionë kosovarëve u mohohet për shkak të – demarkimit të kufirit!

Sidoqoftë, tashmë kemi përvojë me situata të padrejta, që me arsyeshmëri dhe vizion – e mbi të gjitha mençuri e forcë – shqiptarët e Kosova kanë ditur t’i kthejnë në të mirë të vet.

Pse të mos përsëritet i njëjti leksion edhe me Marrëveshjen e Demarkacionit?

NË ANËN TJETËR, nganjëherë kjo puna e demarkacionit, sipas kryeministrit Haradinaj, i ngjan atij tipit në lojë futbolli që thotë: ose më lini të fitoj, ose e vjedh topin.
Komisionit Meha i thanë i ndikuar politikisht.
Komisionit Jahjaga gjithashtu.
Edhe Komisionit Islami njësoj.
Tash: Nëse këto 3 komisione paskan qenë të ndikuara politikisht, çka e bën më pak të ndikuar politikisht Komisionin Bulliqi?!
A duhet tash Haradinaj t’i bëjë edhe nja 3 komisione të tjera që së paku të barazohet rezultati?!
Çka mund të ketë kaq speciale një komision i kryesuar nga një individ krejt i rëndomtë e krejtësisht i njëanshëm gjatë gjithë kohës?!

Çka mund t’i shërbejë Kosovës raporti i një komisioni për të cilin sponsorizuesit dhe garantuesit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës e quajnë – gjepur?!

Ç’përparësi në të mirë të Kosovës mund të sjellin argumentet për “kullosat” dhe “kontrollin faktik në terren”, kur të njëjtin standard mund ta përdorë Serbia nesër, e cila ka pasur kontroll faktik jo vetëm në veri, por edhe ngjitur me Prishtinën – në Graçanicë?!
Katastrofë!
Dy milionë qytetarë të mbyllur si kafshë në kafaz për shkak të inateve politike, ose për shkak se, ndonëse nisur nga qëllimi fisnik – kanë mundur të bien në lajthitje.
Por hipokrizia më e madhe në këtë mes është se disa nga këta që po bëjnë lojëra politike me këtë punë nuk e kanë problem lirinë e lëvizjes – i kanë siguruar pasaportat për vete e për familje, ose të Shqipërisë, ose të Norvegjisë, ose të Britanisë, ose të Zvicrës…
Qytetarët do të kishin arsye të besonin në sinqeritetin e tyre nëse të njëjtit do të dilnin publikisht dhe t’i shqyenin pasaportat e shteteve të tjera dhe ta mbanin vetëm pasaportën kosovare, si shenjë solidarizimi e bashkëvuajtjeje me qytetarët, të cilëve po thonë se iu shërbejnë.

Të urojmë që përfundimisht edhe një herë ndër shqiptarët të mbisundojnë arsyeja e vizioni.

Që pas çlirimit e pavarësimit, të vijë edhe liria e lëvizjes!
Në të kundërtën do të ishte marre për ata që e bllokojnë! Për të mos thënë diçka edhe më shumë!…

adriatik@kohavision.net