A mund të dërgohet demarkacioni në Gjykatën Kushtetuese?

Ekziston mundësia që demarkacioni të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, nëse ndonjë nga deputetët pretendon që ka pasur shkelje në marrëveshje.
Dyshime mbi juridiksionin e Kushtetueses që të merret me këtë çështje, ka hedhur njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka. Ai për “Indeksonline” ka thënë që demarkacioni ende nuk e ka marrë formën e prerë dhe si i tillë, Kushtetuesja nuk do të duhej të merrej me këtë çështje.

Ai ka deklaruar se në Kushtetuese, do të mund të adresohej vetëm nëse janë shtjerrë instrumentet tjera juridike lidhur me këtë çështje.

“Nuk do të duhej të ishte në sferën e Gjykatës Kushtetutare si juridiksion.Parimisht në Kushtetutë nuk përcaktohet se kush mundet apo jo, por nëse nuk do të kishte instrumente juridike tjera, ankesa, kërkesë për përsëritjen e procedurës, zbatimi i ligjshmërisë, nëse këto do të ishin shtjerrë atëherë do të konsiderohej se subjekti i autorizuar për inicim do t`i adresohej Gjykatës Kushtetuese. Por meqë kjo nuk e ka marrë formën e prerë, nuk e ka prekur jo Kushtetutën, por as ligjin, nuk mundet Gjykata Kushtetuese të tregojë si duhet, apo çka duhet, pa e pasë dokumentin përfundimtar”, ka thënë Smaka.

Sipas tij, demarkacioni është çështje e Kuvendit dhe deputetët mund të votojnë sipas vetëdijes së tyre. Por, ka thënë ai, Kushtetuta nuk i cakton kufijtë, andaj edhe Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente që të merret me këtë çështje.

“Gjykata Kushteuese nuk do të duhej ta merrte këtë rast edhe nëse do të duhej ta merrte kushdoqoftë se nuk është çështje e Kushtetutës, nuk preket Kushtetuta, por ligji. Duhet parë nëse është zbatuar ligji apo jo, nuk është fjala a është prekur Kushtetuta. Megjithëse Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të merrej me këtë çështje sepse nuk është çështje e saj, Kushtetuta nuk i cakton kufijtë, por janë çështjet ligjore dhe këto çështje zgjidhen nga gjykata për kompetenca të rregullta.Ajo nuk do të kishte juridiksion për ta trajtuar këtë çështje. Kjo është çështje kuvendore-parlamentare”, është shprehur ai.

Ndryshe nga Smaka është deklaruar për “Indeksonline” njohësi politik Mazllum Baraliu.

Ai ka thënë se Kushtetuta lejon që nëse dikush mendon se i cenohet territori Kosovës, mund të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Mund të dërgohet në Kushtetuese, është e drejtë e cilësdo palë që konsideron se është shkelur ndonjë e drejtë e qytetarit dhe këtu është fjala për paragrafin dy, të nenit 2 të Kushtetutës ku Sovraniteti dhe Integriteti territorial i Kosovës thuhet se është i pacenueshëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kështu që nëse dikujt iu cenohet kjo e drejtë, kjo dispozitë që ta mbrojë sovranitetin qoftë si subjekt politik, qoftë si qytetar apo institucion, deputetet e Parlamentit kanë të drejt të marrin iniciativë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, iniciativa drejt Kushtetueses mund të bëhet para se demarkacioni të shkojë në Kuvend, por edhe pas tij.