Gani Dreshaj: Qytetarët po duan ta ndërrojnë Haki Rugovën

Kandidati për kryetar të komunës së Istogut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, tha se AAK-ja do të fitojë Istogun edhe pa votat e diasporës.“Pritjet tona janë që do të fitojmë.

Prej dje jemi në koalicion me PDK-në, Nismën edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Na është bërë një e padrejtë dhe me 17 do ta rregullojmë, pa i pritur votat e diasporës”, tha Dreshaj.

Ai i bëri komentet për gazetarët pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovë, ku ai është deputet. Kuvendi kaloi në parim Projektligjin për Buxhetin e Kosovës 2018.Dreshaj theksoi se Istogu ka qenë bastion i LDK-së për shkak të respektit që kanë pasur qytetarët për presidentin historik, Ibrahim Rugova.

Po, sipas tij, qytetarët e Istogut tashmë janë lodhur nga qeverisja e LDK-së dhe presin ndryshime me partinë e tij.“Istogu mbetet bastion i LDK-së, se e kanë pasur presidentin Rugova. Por, janë lodhur me zotin Haki Rugova. Qytetarët po dojnë me ndërru”, shtoi Dreshaj.