Muzaqi i VV-së konfirmon shkarkimin e Aidës në Vushtrri: A i thuhet shefit m…

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe anëtarët e degës së këtij subjekti politik në Vushtrri po kërkojnë shkarkimin e Aida Dërgutit nga posti i kryetares së degës së LVV-së në këtë komunë. Kandidati për kryetar komune nga VV-ja në zgjedhjet e fundit lokale në Vushtrri, Besim Muzaqi, ka pranuar për Express se kanë nënshkruar një peticion të tillë. Thotë se ideatorin e partisë nuk guxon ta fyejë askush.

Pas shpërthimit të skandalit në Lëvizjen Vetëvendosje, ku deputetja Aida Dërguti e kishte quajtur “mut” Albin Kurtin, kanë vazhduar reagimet e panumërta. Dega e VV-së në Vushtrri ka kërkuar shkarkimin e Aida Dërgutit nga kryetarja e degës.

Këtë e ka pranuar për Express, Besim Muzaqi, i cili ka qenë kandidat i VV-së për kryetar në komunën e Vushtrrisë.

“Po është nënshkruar një peticion. Aktivistët tanë janë deklaruar ndaj fyerjes që ka ndodhur. Në Vetëvendosje nuk ka ndarje, ekziston vetëm krahu i ideatorit. Zonja Dërguti ka bërë shkelje për të cilën komisioni disiplinor pritet të marrë vendim”, ka thënë Muzaqi.

Tutje, ai ka thënë se Dërguti duhet të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Secili merr përgjegjësinë për vendimet e veta. Ne kemi marrë këtë qëndrim për fyerjen e cila është e papranueshme për ne si qendër. Por, organet e Vetëvendosjes do të jenë ato që do të vendosin. Çfarëdo qofshin masat që i merr kryesia, ne si këshill do t’i respektojmë. Besojmë që përfaqësuesit tanë do të jenë unik”, ka thënë tutje Muzaqi për Express.

E ndërkohë, pas shpërthimit të skandalit në Lëvizjen Vetëvendosje, përpos në rrjetet sociale dhe nga shumë pika të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë kërkuar nga lideri i partisë, Visar Ymeri, që të merren masa ndaj deputetes Aida Dërguti, një reagim i fuqishëm ka ardhur edhe nga Qendra (dega) e Vetëvendosjes në Vushtrri, kryetare e së cilës është Aida Dërguti.