Lekaj për autostradën Prishtinë-Gjilan: Po vazhdon shpronësimi i banorëve të Bresalcit

Më 15 prill të këtij viti u mbajt ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Kjo autostradë parashihet të jetë e gjatë 47.1 kilometra dhe me katër korsi, duke lidhur kështu korridorin 6,7 dhe 10.

Pjesa më e madhe e kësaj autostrade parashihet të shkojë nëpër toka shoqërore të pabanuara dhe nga përllogaritjet e para ishte bërë e ditur se ka një kosto afro 260 milionë euro.

Lidhur me këto zhvillime, Indeksonline ka kontaktuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj ka cilësuar se dinamika e punimeve është duke ecur siç duhet.

“Autostrada Prishtinë-Gjilan tashmë ka filluar pjesa e pare dhe deri ne Bresalc në 8 lote do të përfundojnë brenda dy viteve dhe dinamika e punimeve është e kënaqshme”,ka thënë Lekaj.

Ai poashtu ka shtuar se tashmë është duke përfunduar procesi i shpronësimit për pjesën e dytë të banorëve, Bresalc-Dheu i Bardhë.

“Në të njëjtën kohë është duke përfunduar procesi i projektimit të shpronësimit për pjesën e dytë, Bresalc-Dheu i Bardhë”,ka shtuar Lekaj.

Kjo autostradë parashihet të jetë e një rëndësi të madhe për vendin pasi lidh Prishtinën dhe Anamoravën.

Madje ishte pikërisht kryeministri, Ramush Hardinaj i cili ka deklaruar se kjo autostradë i lidh shqiptarët, ekonominë por edhe ndjenjat.