LDK-ja kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk përfill kërkesën e Veselit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënë iu ka dërguar ftesa krerëve të partive opozitare për t’u takuar së bashku të enjten në ora 11:00 në Kuvend për të diskutuar në lidhje me harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi.

Mirëpo, pavarësisht kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Veselit, raporton lajmi.net.

Sipas LDK-së, ky subjekt politik tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin për dialogun me Serbinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes këtij njoftimi për media ka bërë të ditur se është e gatshme të takohet me të gjitha partitë politike për tu marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“LDK është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për tu marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Njoftimi i plotë i LDK-së pa ndërhyje:

Lidhja Demokratike e Kosovës disa herë i ka bërë të qarta para opinionit dhe anëtarësisë së saj qëndrimet për dialogun me Serbinë.

Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për Kryetarin e Kuvendit.

Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe  qytetarëve tanë, kurse  në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar.

LDK është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për tu marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve