Kosova pranohet si anëtar asocicues në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë

Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm brenda Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, duke e ngritur statusin nga anëtari vëzhgues në atë të asocuar.

Ndryshimi i statusit të Kosovës u miratua nga krerët e shteteve dhe shefat e Qeverive të shteteve anëtare në Samitin e nivelit më të lartë në kryeqytetin armen, Jerevan.

Kërkesë për avancimin e statusit të vendit tonë nga ai vëzhgues në atë të asocuar kishte bërë edhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, nëpërmjet fjalimit të tij që iu adresuar Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në Konferencën, që i parapriu Samitit të shefave të shteteve.

“Kosova ka kërkuar ndërrimin e statusit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë – kërkesë që përkon me vullnetin politik, e sidomos vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të nxitur edhe më shumë nismat frankofone në vend. Ju falenderojë për mbështetjën, që i këni dhënë kërkesës tonë për ndërrim të statusit në ONF, me shpresën që kjo frymë mikpritëse dhe bashkëpunuese do na ndjekë edhe gjatë shqyrtimit të kërkesës sonë për ndërrim të statusit në Samitin e Kryetarëve të Qeverive”, kishte thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, z. Behgjet Pacolli.

“Ngritja e statusit të Republikës së Kosovës nga ai i tanishëm si vëzhgues në atë të asocuar do të jetë një lajm i mirë për vendin, Institucionet, qytetarët dhe rrugëtimin e gjithmbarshëm të integrimit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, ishte shprehur ai.

Në Samitin e Frankofonisë, po marrin pjesë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaci dhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, me delegacionet e tyre.

Kosova ishte pranuar si anëtar vëzhgues në ONF në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, ndërsa që nga ajo kohë janë bërë arritje të rëndësishme.

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1970, ndërsa ajo përbëhet prej 84 shteteve dhe Qeverive (nga të cilat 58 shtete anëtare dhe 26 me status vëzhgues), të cilat bashkë paraqesin një të tretën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara me një popullsi prej 900 milionë njerëzish, duke përfshirë 274 milion frëngjisht folës.