“Salah po përballet me problemet e njëjta me Pogban”

Ylli egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah, është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë për Liverpoolin, dhe ish-futbollisti anglez, Paul Ince, beson se edhe Salah edhe Paul Pogba nuk janë në formë shumë të mirë për shkak të lodhjes nga Kupa e Botës.

Pasi kishte shënuar 44 gola sezonin e kaluar, Salah dhe i kishte fituar çmimet e Premierligës për lojtarin më të mirë të vitit dhe Këpucën e Artë, për Salahun kishte shumë pritshmëri për sezonin e tij të dytë me Liverpoolin, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Salah nuk ka arritur ende ta dëshmojë veten në të njëjtën mënyrë siç kishte bërë sezonin e kaluar, pasi që deri më tani ka arritur t’i shënojë vetëm tri gola në 11 paraqitje të këtij sezoni.

Ince beson se lëndimi i pafat në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, të cilën Liverpooli e humbi me rezultat 3-1, e ka lënë Salahun të lodhur pasi që rikthimi i tij ishte nxituar për shkak të ndeshjeve të Kupës së Botës.

Ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, Ince, beson se e njëjta gjë vlen edhe për Pogban, i cili arriti të triumfojë me Kombëtaren e Francës në këtë turne në Rusi. Ai ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm për Didier Deschamps dhe puna e tij u shpërblye me një medalje të artë.

“Po, Salah është duke e pasur të vështirë, por ai është një lojtar i mrekullueshëm. Nuk mund ta lësh në bankë rezervë pasi që duhet t’i mbash atë të tre [Salah, Firmino dhe Mane] së bashku. Ai u lëndua në fund të sezonit të kaluar dhe ndoshta nuk ishte rikthyer plotësisht për Egjiptin’, ka thënë Ince.

“E di që Pogba ishte i mrekullueshëm për Francën, por ai nuk ka qenë edhe aq mbresëlënës për Manchester Unitedin. Kjo mund të jetë pikërisht për shkak të Kupës së Botës. Kam luajtur në gara të tilla dhe nuk janë aspak të lehta. Ato janë rraskapitëse. Kjo mund të jetë arsyeja pse Salah nuk është duke performuar mirë, e ndoshta edhe Pogba”.