Kadri Veseli niset për Gjermani, kjo është arsyeja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjermani, ku do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Bundestagut, Dr. Wolfgang Schäuble.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Veseli do të zhvillojë takime të tjera edhe me zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane, përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrtarë të tjerë të angazhuar në çështje të Ballkanit.

Gjatë këtyre takimeve, kryeparlamentari Veseli do të kërkojë mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe procesin e integrimit evropian në përgjithësi, anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe rritjen e investimeve gjermane në Kosovë.

Po ashtu, kreu i Kuvendit të Kosovës do të diskutojë me zyrtarët e lartë gjermanë për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat, për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.