Lekaj: Me shtimin e Qendrave për kontroll teknik, bie niveli i sigurisë në trafik

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar pas takimit që ka zhvilluar me Shoqatën e Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve ka deklaruar se shtimi i këtyre qendrave që parashihet me ndryshimin e ri të ligjit për automjete do të ndikonte në rënien e sigurisë në komunikacion.

“Në takim me Shoqatën e Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve, biseduam për iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për plotësim-ndryshimin e ligjit për automjete, që do t’i hapte rrugë shtimit të këtyre qendrave në vendin tonë. Me këtë rast, ritheksova qëndrimin e Ministrisë së Infrastrukturës se ky ndryshim nuk është në favor të ruajtjes së cilësisë së dhënies së shërbimeve nga QKTA-të. Njëkohësisht shpreha edhe shqetësimin tim se shtimi i QKTA-ve, do të ndikonte edhe në rënien e sigurisë në komunikacion. Përkundër mospajtimit tonë për ndryshimet në legjislacion, jemi të obliguar të respektojmë çdo vendim që del nga institucioni ligjvënës i Republikës së Kosovës. Prandaj duhet të vazhdojmë punën!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.