Kosova po rrezikon të humb aleatin kryesor të Ushtrisë për shkak taksës

Mos pezullimi i taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës po rrezikon çdo ditë e më shumë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje me aleatin më të madh të Ushtrisë së Kosovës.

Kosova po rrezikon që të mos marrë përkrahje nga ushtria amerikane, kur dihet që ishte shtylla kryesore për transformimin e FSK-së në ushtri, të paktën kështu mendojnë analistët në vend.

Anulimi i vizitës se komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneral major Timothy Orr, i cili kishte planifikuar të vinte në Prishtinë, me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Po ashtu edhe refuzimi i vizës për kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili do të merrte pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, janë vetëm disa nga masat që SHBA-ja ka marrë ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos pezullimit të taksës.

Ndërkohë, është raportuar se mos pezullimi i taksës po rrezikon edhe 12 milionë euro ndihmë me vetura ushtarake për FSK-në nga ushtria amerikane.

E lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar edhe me Qeverinë e Kosovës të cilët kanë thënë se vendimi për taksën mbetët i njëjtë. Duke mos komentuar rrezikimin e 12 milionë eurove ndihmë për vetura ushtarake për FSK-në.

“Vendimi për taksën mbetet”, deklaroi shkurt Donjeta Gashi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

Në anën tjetër, zëdhënësi i FSK-në, Ibrahim Shala ka thënë se nuk është në dijeni për këtë çështje.

Ndërsa, analisti politik, Ramush Tahiri deklaroi për lajmi.net se Kosova me sjelljen e saj të njëanshme dhe kokëforte po prish marrëdhëniet me SHBA-të, që është vend lider në botë, dhe për këtë siç thotë ai, Kosova do të do t’i vuaj pasojat në të ardhmen.

“Natyrisht që Kosova me sjelljet e saj të njëanshme edhe kokëforte dhe pa respektuar kodet e mirësjelljes diplomatike, po edhe marrëveshje ndërkombëtar, prish marrëdhëniet ose ulë nivelin e marrëdhënieve me Shtete e Bashkuar të Amerikës. Që është vend lider në botë edhe në demokraci, por që ruan rolin kyç edhe me marrëdhëniet ndërkombëtarë. Pra, Kosova do t’i vuaj pasojat edhe në të ardhmen, sepse ka hyr në një rrugë e cila nuk ka zgjedhje tjetër, e cila nuk lenë shtegdalje tjetër. SHBA ka politikën e vetë, i ka parimet e veta edhe i zbaton ndaj çdo vendi i cili nuk sillet komfor këtyre politikave”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij edhe pse Amerika ka miqësi me Kosovën, ata mund të marrin masa të tilla për shkak të mos përfilljes së kërkesë së tyre.

“Me Kosovën edhe pse kanë miqësi, edhe pse është kryesori për pavarësinë e Kosovës, lirin dhe zhvillimin e Kosovës, nuk mund të thirrën ndryshe, mund t’i prolongojnë masat po në fund të fundit mund t’i marrin dhe kanë filluar t’i marrin ato që janë përmendur. Por, në marrëdhëniet ndërkombëtare është një gamë e gjerë e këtyre masave që mund t’i marrin në të ardhëm edhe diplomatët e Kosovës i din. Por që edhe Qeveria e Kosovës duhet t’i dijë”, ka thënë ndër të tjera Tahir.

Edhe analisti, Shkodran Ramadani, thotë se reforma që FSK-në e shndërron në ushtri që zgjatë një dekadë nuk është e mundur pa mbështetjen e SHBA-ve.

Sipas tij ligji që shndërroi FSK-në në ushtri u bë i mundur nga SHBA-të, përkundër faktit se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s doli kundër.

Ai ka shtuar se meqenëse ndihma amerikane për Ushtrinë është edhe financiare dhe materiale, edhe ky donacion i Humvee-ve lehtë mund të anulohet si levë për presion.

“Reforma që FSK-në e shndërron në ushtri që zgjatë një dekadë nuk është e mundur pa mbështetjen e SHBA-ve. Vizita e Gjeneralit Christopher Connor e paralajmëruar për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës është anuluar për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të pezulluar taksën. Ky është një paralajmërim për masa më të rënda. Meqenëse ndihma amerikane për Ushtrinë është edhe financiare dhe materiale, edhe ky donacion i Humvee-ve lehtë mund të anulohet si levë për presion”, ka thënë  Ramadani.

Ramadani po ashtu ka thënë se Kosova është 10 vite larg ndërtimit të plotë të ushtrisë dhe ndihma ushtarake amerikane është qenësore në rrethana të tilla.

“Mjafton të pushojë kjo përkrahje dhe Kosova të mbetet pa institucionin që do të mund ta mbronte integritetin e vendit në rrethana të agresionit të jashtëm. Amerikanët po dërgojnë sinjale të qarta se nëse nuk pezullohet taksa, pezullohet reforma që e pajis Kosovën me ushtri.  Por masa të tilla nga SHBA-të pritet të afektojnë edhe sektorë të tjerë, siç është ai i drejtësisë dhe i politikës së jashtme. Qasja e tillë e amerikanëve mund ta prekë negativisht aftësinë diplomatike të Kosovës. Afirmimi ndërkombëtar i Kosovës është i pamundur pa mbështetjen e SHBA-ve. Pa përkrahjen e amerikanëve Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për më keq, pa lobin amerikan vështirë që Kosova do të mund të merrte ndonjë njohje substanciale nga ndonjë shtet tjetër”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij insistimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar me çdo kusht pezullimin e taksës duhet të rimendohet, derisa shton se kërkesa amerikane për pezullim të Kosovës nuk duhet të shihet si kapitullim para Serbisë, por si hap që mundëson nisjen e një dialogu të udhëhequr nga partneri më i qëndrueshëm i Kosovës, SHBA-të.