Gati gjysma e bizneseve të regjistruara në Kosovë nuk paguajnë tatimet

Aktualisht në Kosovë janë të regjistruara mbi 144 biznese, por gati gjysma prej tyre nuk deklarojnë të ardhura në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), e kështu ato i shmangen detyrimeve tatimore ndaj shtetit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në Kosovë nga viti 2000 e deri më tani, janë të regjistruara 144,496 biznese.

Shumica nga këto biznese sipas MTI-së, janë që ushtrojnë aktivitetin e tregtisë me shumicë dhe pakicë.

“Nga viti 2000 deri në tani janë të regjistruara 144,496 mijë biznese. Pjesëmarrjen më të madhe të tyre e përbëjnë ato biznese që merren me aktivitetin e tregtisë me shumicë dhe pakicë me 68,650 biznese”, thuhet në përgjigjen e MTI-së për Telegrafin.

Numër të madh të bizneseve të regjistruara ka dhe shërbimi i akomodimit me 18,451 ndërmarrje, ndjekur nga industria përpunuese me 17,236 biznese dhe transporti dhe magazinimi me 16,142 biznese.

“18,451 biznese janë të regjistruara që kanë aktivitet shërbimin e akomodimit, 17,236 biznese janë të industrisë përpunuese, 16,142 janë biznese të transportit dhe magazinimit, 14,034 janë biznese të ndërtimit, 8,018 biznese kanë veprimtari aktivitetin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, 858 biznese janë të industrisë minerare, 768 janë biznese të furnizimit me ujë, ndërsa 339 biznese kryejnë aktivitetin e furnizimit me rrymë, gazë, avull dhe ajër të kondicionuar”, thuhet në përgjigjen e MTI-së, për Telegrafin.

Ndryshe nga ARBK-ja, ku janë të regjistruara mbi 144 mijë biznese, sipas ATK-së vetëm 86 mijë prej tyre deklarojnë të hyrat e tyre.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com ka bërë të ditur se 86 mijë biznese janë tatimpagues aktiv.

“Rreth 50 për qind prej tyre kanë deklaruar edhe në deklaratën e fundit. Ne do të synojmë që të rritet deklarimi dhe pagesa e tatimeve”, ka thënë Murtezaj.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Telegrafin se ka ndërmarrje që janë të regjistruara dhe nuk bëjnë aktivitet biznisor.

“Dallimi i bizneseve aktive dhe atyre të regjistruara është shumë i madh dhe kjo mund të jetë me një proporcion mbi 40 për qind të bizneseve të cilat janë të regjistruara, ato nuk bëjnë aktivitet dhe nuk kanë ndonjë pagesë së paku në gjashtë muajt e fundit që me automatizëm bëhen biznese pasive, pra vjen nga mos aktiviteti i tyre”, tha Shahini.

Ai shtoi se rreth 90 për qind e bizneseve që janë aktive në Kosovë punojnë me vetdeklarim.

“Në Kosovë kultura fiskale është shumë e lartë se në të gjitha vendet në Ballkan. Rreth 90 për qind e bizneseve që janë aktive punojnë me vetdeklarim. Është dashur që ato biznese që nuk janë aktive më shumë se gjashtë muaj, nuk paguajnë, ato shteti të heq dorë nga obligimet e tyre”, tha kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shihet se gjatë tre mujorit të fundit të vitit 2018 janë regjistruar 2,401 biznese të reja, ndërsa janë mbyllur 444 prej tyre.