Dy vrasje brenda ditës në Suharekë, njëra në kazino nga një polic e tjetra mes vëllëzërve për trashëgimi

Një i ri dhe një i moshuar u vranë sot në komunën e Suharekës. 32 vjeçari J.A nga Mushtishti u gjet i vdekur në kazino dhe 64 vjeçari I.G dyshohet se u vra nga vëllai i tij 72 vjeçar B.G në fshatin e tyre në Studenqan. 72 vjeçari është arrestuar nga policia. Ndërsa i riu dyshohet se u vra nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, (i njohur për policinë) të cilit i është bastisur shtëpia. Bëhet fjalë për policing me inicialet SH.S që tashmë ndodhet prapa grilave.  Për dy muaj e gjysmë në Kosovë ndodhën gjashtë vrasje. U vranë pesë burra dhe një grua.

Brenda tri orëve nga arma e zjarrit u vranë dy burra në Suharekë dhe mbet e lënduar rëndë një grua (familjare e vëllëzërve nga Studenqani). Gazeta Express nga burime të sigurta brenda policisë dhe prokurorisë ka mësuar motivet që dyshohet se ia morën jetën këtyre dy personave.

Jetmir Aliaj dyshohet se u vra për përfitime materiale, kështu tha një burim.

“Qëllimet kanë qenë përfitimet, dyshohet se pati të bëjë për përfitime”, tha ai.

Ndërsa I.G dyshohet se u vra nga vëllai për shkak të mosmarrëveshjes rreth tragjëgimisë (kontest pronësor). Aty u lëndua rëndë edhe një grua rreth 43 vjeç, familjare e viktimës dhe dorasit.

“Motivet janë rreth trashëgimisë…kontesti pronësor”, tha ky burim.

Për këto ngjarje tragjike Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media. Aty janë dhënë detaje se si ka ndodhur dy vrasjet.

“Në orën 9.47 në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Reshan kemi marrë informatën se një person I gjinisë mashkullore është i shtrirë në një kazino…u vra me armë zjarri dhe është pa shenja jete. Bëhet fjalë për J.A nga Mushtishti…I dyshuari i vrasjes është pjesëtarr i Policisë së Kosovës, atij është bërë bastisja në banesë. Është marrë arma e zjarrit, disa telefona dhe pajisje tjera”, tha policia, transmeton Express.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me vrasje brenda familjes.

“Në orën 11:50 min, kemi marrë informatën se ka gjuajtje me armë zjarri në një familje në Studenqan. Një I vdekur dhe një e plagosur aksidentalisht. Motivi dyshohet të jetë për çështje pronësore. Viktima ka qenë i arrestuar edhe më herët”, tha policia.

“Dy kufomat janë dërguar në mjekësinë ligjore, ndërsa e plagosura është jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.

Rastet po hetohen nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

J.A i vrarë në Kazino në Reshan të Suharekës

Për dy muaj e gjysmë ndodhën gjashtë vrasje në Kosovë:

Me vrasjen e Jetmir Aliaj 32 vjeç dhe I.G 64 vjeç numri i të vrarëve në Kosovë brenda këtij viti ka arritur në gjashtë. Vrasja e Tunë Bezhit në Marmullë të Gjakovës është vrasja e katërt në Kosovë për këtë vit. 40 vjeçari se u vra nga Alfred Gjugja për një problem pronësor. Abid Jasharai u vra në fund të muajit shkurt në Prishtinë nga djali i vëllait të gruas së tij Besnik Shkodriqi për shkak të një mosmarrëveshjeje. Po ashtu gjatë muajit shkurt u vra edhe Mentor Aliu nga Ferizaj, dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R për shkak të një gjakmarrjeje. Ndërsa, vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri.

Gjatë kësaj periudhe kohore vrasjet kanë ndodhur në: Gjilan (1grua), Ferizaj (1burrë), Prishtinë(1 burrë), Gjakovë (1 burrë) dhe Suharekë (2 burra).

Sidoqoftë, në tri vitet e fundit, viti 2018 cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje.