Në rastin ku vllau vrau vllaun në Suharekë, u plagos edhe një femër

Policia e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme pas dy vrasjeve që ndodhën në rajonin e Suharekës.

Me këtë rast Drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka thënë se sa i përket rastit në  Studenqan, ku vrasja ka ndodhur mes vëllezërve, bëhet e ditur se arsyet ishin për çështje pronësore, ku ka mbetur i vdekur 54-vjeçari I.B, ndërsa dorasi është arrestuar.

“Atje e kemi kuptuar se bëhet fjalë për të shtëna me armë zjarri, me një person të vdekur dhe një viktimë e gjinisë femërore, e cila rastësisht është plagosur për shkak të të shtënave të pakontrolluara nga i dyshuari që ka bërë vrasjen në atë vend. Bëhet fjalë për vëllezër, pas një konflikti që dyshimet e para mund të jenë për çështje pronësore. Viktima ka qenë i arrestuar më herët, për një vrasje tjetër, ku ka mbajtur diku 14 vjet burg”, u shpreh ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë vit, janë tri raste më pak të vrasjeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tyre, në janar 2018 deri në muajin mars kanë qenë 9 raste të vrasjeve, ndërsa në vitin 2019 kanë qenë 6 raste.