Nesër iu jepet lamtumira e fundit tre të rinjve që vdiqën në Duhël

Tre të rinj, 20, 21 dhe 23 vjeç, vdiqën dje në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Shtime-Suharekë, konkretisht në Duhël. Aty mbeti i lënduar edhe një person tjetër. I njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Aksident me fatalitet gjatë ditës së djeshme ndodhi edhe në Vitomiricë të Pejës. Jetën e humbi një 63-vjeçar e lëndime morën dy gra. Për dy muaj e gjysmë në Kosovë në aksidente të ndryshme trafiku kanë humbur jetën 22 persona. Policia paralajmëron masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut.

Në Lipjan sot është ditë zie. Kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, e mori këtë vendim në shenjë solidarizimi për familjet që humbën fëmijët e tyre në këtë aksident. Lamtumira e fundit do t’iu jepet nesër atyre. Dy janë nga Lipjani e një nga Prishtina.

Policia tha se nga aksidenti tragjik në vendin e ngjarjes mbetën të vdekur: S.T., viti i lindjes 1996, L.R., viti i lindjes 1998 dhe V.H., viti i lindjes 1999.

Nga informacionet e para që kanë mbledhur, organet e hetuesisë thanë se vetura e tipit “Golf 6”, e marrë me qira, ka tejkaluar në vijën e plotë duke u përplasur me një kamion. Në këtë veturë ndodheshin tre të rinjtë që ende nuk dihet se cilin vend e kishin destinacion.

Më shumë rreth aksidentit mund të mësoni në këtë video:

Po dje, në një aksident tjetër trafiku që ndodhi në Vitomiricë të Pejës vdiq 63-vjeçari N.R., ndërsa dy gra të tjera janë lënduar, njëra prej të cilave me lëndime të rënda trupore.

Pamje nga aksidenti në Vitomiricë:

Gjatë periudhës prej dy muajsh e gjysmë në Kosovë jetën e kanë humbur 22 persona.

“Pavarësisht përpjekjeve të Policisë së Kosovës, ky vit (2019), nga janari deri sot (17.03.2019) ka rezultuar me humbjen e 22 jetëve njerëzore nëpër rrugët tona”, tha Daut Hoxha nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës të dielën për Gazetën Express.

Numri i aksidenteve fatale është në rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Policia paralajmëron masa të rrepta ndëshkuese për shkelësit e ligjit në trafik.

“Rastet e raportuara për humbje të jetëve njerëzore si pasojë e aksidenteve rrugore po bëhen tepër shqetësuese për të gjithë. Policia e Kosovës, bashkë me kërkesat e vazhdueshme për kujdes dhe vigjilencë të shtuar nga drejtuesit e automjeteve ka ndërmarrë disa aktivitete dhe fushata vetëdijesuese për respektimin e rregullave të trafikut, si: respektimi i shenjave nëpër rrugë, kufizimi i shpejtësisë, vënia e rripit të sigurisë, etj. Përveç kësaj, në vazhdimësi janë realizuar operacione policore në funksion të zbatimit të ligjit të trafikut”, tha Hoxha.

Nuk ka javë që në vendin tonë nuk raportohet për aksidente fatale. Para disa ditësh në Gjilan, si pasojë e prishjes së frenave të një kamioni, për vdekje u godit Qerim Çoçaj, 53 vjeç, dhe u lënduan 23 persona.

Dy aksidente fatale me tren

Dita e parë e muajit mars nisi me dy lajme tragjike. I.H., 20 vjeç, ka humbur betejën nga plagët që ia shkaktoi një tren ditë më parë në afërsi të kazermës “Adem Jashari”. Ky i ri atë ditë kishte shkuar për të aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së, por u godit nga treni dhe mori plagë të rënda trupore. Për disa ditë rresht qëndroi në intensivë në QKU, por mbrëmë ndërroi jetë.

Aksidenti tjetër me tren ndodhi në Pejë. Madje në vendin e ngjarjes ndërroi jetë Sahit Lokaj, 51-vjeçar.

Ditë më parë, tre anëtarë të familjes Sope nga fshati Zhur i Prizrenit kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në aksin rrugor Prizren- Zhur. Babai Ramiz Sope, 50-vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Behar Sope, 24-vjeç dhe Lumbardh Sope, 22-vjeç, u aksidentuan për vdekje me një kamion për pastrimin e borës. Deri më tani, dyshimet e para të prokurorisë thonë se aksidenti është shkaktuar nga vetura e viktimave.

Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në publik janë realizuar disa fushata vetëdijesuese.

Statistika shtesë rreth aksidenteve në trafik gjatë 2018-s

Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018.  Këtë shifër e dha Policia për Gazetën Express.

“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 126 persona të vdekur”, tha policia.