Brenda disa javësh bëhet publik një version i raportit të Mueller-it

Prokurori i Përgjithshëm në SHBA, William Barr, tha se planifikon që brenda pak javësh, të bëj publik një version të raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili thotë se fushata e Presidentit Donald Trump në vitin 2016 nuk bëri komplot me Rusinë.

Kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr, më 24 mars i dorëzoi Kongresit vetëm një përmbledhje prej katër faqësh të raportit.

Por, ai tha se kishte nevojë për më shumë kohë për të përcaktuar se sa mund të bëhej publike nga përmbajtja e raportit.

Një zyrtar i paidentifikuar nga Departamentit të Drejtësisë u tha gazetarëve më 26 mars se plani i Barrit ishte që “brenda disa javësh dhe jo muajsh” të bënte publik një version të raportit.

Ndërkohë, Demokratët e Kongresit kanë kërkuar që prokurori Barr deri më 2 prill të u dorëzojë të gjithë raportin. Sipas kësaj, Departamenti i Drejtësisë do të kishte vetëm një javë kohë për të përfunduar shqyrtimin e tij.

Disa pjesë të raportit konfidencial të Mueller-it përmbajnë materiale sekrete. Rregullat federale në përgjithësi e ndalojnë qeverinë të lirojë këtë informacion për publikun.

Raporti gjithashtu përmban informacion rreth hetimeve penale në vazhdim që Mueller-i iu referua zyrave të zyrtarëve tjerë ligjorë në SHBA.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, tha në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë se hetimet e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, në lidhje me fushatën e zgjedhjeve presidenciale më 2016, nuk kanë gjetur se presidenti Donald Trump ka kryer krim, por, në të njëjtën kohë, nuk e shfajësojnë atë.

Në letër po ashtu thuhet se dëshmitë e mbledhura nga Mueller “nuk janë të mjaftueshme” për të konstatuar se Trump e ka penguar drejtësinë.