Kryeinspektori i Punës në garë për drejtor të “Trepçës”

Prodhimi në “Trepçë” ka shënuar rënie gati 50 për qind në muajt e fundit dhe kjo ka bërë që paga e muajit prill t’u jepet punëtorëve në dy pjesë nga 50 për qind. Për të krijuar stabilitet financiar Xhevdet Tahiri, i cili për katër muaj ka menaxhuar me “Trepçën”, ka dhënë disa rekomandime. Deri në fund të javës zgjidhet drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, ndërsa në listën e ngushtë kanë hyrë Mentor Demi dhe Basri Ibrahimi.

Gjendja në “Trepçë”, në veçanti ajo financiare, edhe më tutje është e rëndë dhe punëtorët e kanë të vështirë t’i realizojnë të ardhurat e tyre në muajt në vijim. Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me njerëz që i njohin rrethanat në “Trepçë” dhe me ata që deri vonë kanë menaxhuar me “Trepçën” e të cilët tashmë kanë konfirmuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet gjiganti ekonomik kosovar.

“Trepça” vazhdon të menaxhohet me ushtrues detyre të drejtorit. Aktualisht këtë punë e kryen inxhinieri Behxhet Nimani, pasi ai paraprak Xhevdet Tahiri pati dhënë dorëheqje, siç thoshte ai “për gjendje shëndetësore”.

Ky i fundit i tha “Zërit” se gjendja në “Trepçë” edhe më tutje është e rëndë për shkak se ka rënë edhe prodhimi, kështu ka vështirësi edhe për t’i siguruar pagat. Pagat e prillit u janë dhënë punëtorëve me dy pjesë, nga 50 për qind të pagës.

Pjesën e fundit punëtorët e kanë marrë para pak ditëve. Nëse vazhdohet kështu, atëherë menaxhmenti dhe Bordi do ta kenë të vështirë t’ua japin pagat e majit punëtorëve të “Trepçës”.