Kosova pranohet në Federatën Botërore të Badmintonit

Federata e Badmintonit e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Badmintonit.

Thomas Lund, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Badmintonit, e ka njoftuar zyrtarisht Jeton Nebiun, të parin e badmintonit kosovar, me ecurinë e procesit.

Si zakonisht, as ky anëtarësim nuk ka kaluar pa pengesa politike.

Serbia – e përkrahur nga Spanja, Greqia, Ukraina, Rumania, Qiproja dhe Azerbejxhani – ka tentuar ta parandalojë pranimin e Kosovës.

Mirëpo, Asambleja e Përgjithshme Vjetore ka votuar në favor të shtetit tonë.

Kryetari Nebiu tha për Klan Kosovën se ky është moment i jashtëzakonshëm për badmintonin kosovar në veçanti, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.

“Jam shumë i lumtur për pranimin e Kosovës në familjen botërore të badmintonit”.

“Prej tash do të kemi motiv të madh për t’u angazhuar maksimalisht në rritjen e kualitetit dhe gjithëpërfshirjes së vajzave dhe djemve kosovarë në këtë sport atraktiv”.

“Badmintoni është sport olimpik, prandaj badmintonistët kosovarë do të kenë mundësi ta përfaqësojnë vendin tonë në olimpiadat e ardhshme”.