Kadri Veseli: Stadiumi më i bukuri në Ballkan, Stadiumi Kombëtar i Kosovës nuk është më një ëndërr!

“Ky projekt i jashtëzakonshëm, më i bukuri në Ballkan, tregon se shteti i Kosovës po ecë përpara, po ndërton të ardhmen.”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte sot pjesë e ceremonisë së prezantimit të projektit madhështor të Stadiumit Kombëtar të Kosovës i cili do të ndërtohet në Drenas.

Veseli  në reagimin e tij përmes facebook ka thënë se për adhuruesit e futbollit në Kosovë, ky stadium tashmë nuk është ëndërr.

”Stadiumi Kombëtar i Kosovës nuk është më një ëndërr. Sot e prezantuam projektin e tij, e së shpejti fillojmë edhe ndërtimin. Ky projekt i jashtëzakonshëm, më i bukuri në Ballkan, tregon se shteti i Kosovës po ecë përpara, po ndërton të ardhmen. Kombëtarja e Kosovës, me suksesin e saj, me punën e jashtëzakonshme dhe ekipore, është shembull se bashkë realizojmë qëllimet tona. Përgëzoj ministrin Kujtim Gashi për përkushtimin e madh që ky projekt të jetësohet. E gëzofshim arenën e dardanëve!”