Kryeministri Haradinaj pranon dorëheqjen e ministrit Beqaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Kështu bëri të ditur në një postim të tij në rrjetin social Facebook, Haradinaj i cili ka shkruar se pas kërkesës së ministrit Beqaj, e ka falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, si dhe shtoi se vazhduan me procedurat administrative duke e liruar nga detyra e ministrit.

Haradinaj po ashtu ka treguar se nga qeverisja e tij deri më sot, cilët ministra e zyrtarë i ka liruar nga detyra.

“Gjatë udhëheqjes së Qeverisë së vendit me një koalicion me bazë të gjerë, deri tani kam liruar nga detyra:  Ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj (AKR) dhe drejtori i AKI-së Driton Gashi për rastin e ekstradimit të shtetasve turq, Ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo (Lista Serbe), vendim politik, Ministrin e MAPL Ivan Todosijević (Lista Serbe) dhe zv. Ministren Vesna Mikić (Lista Serbe), për shkak të mohimit të krimeve të luftës dhe shkeljes së parimeve demokratike të vendit, Zv. Ministri Musa Cena – MZHR (AAK) dhe zv. Ministri Bujar Nerjovaj MAP (AAK), për shkak të përballjes ligjore me veprime të caktuara gjatë ushtrimit të funksionit zyrtar dhe përballjes me drejtësinë, Ministrin e Tregtisë, Bajram Hasani (NISMA), Ministrin e Brendshëm Bejtush Gashi (AKR), Ministren e Ambientit Albena Reshitaj (AKR), vendim politik”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri po ashtu shtoi se në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim.