Johnson propozon amnisti ndaj emigrantëve, mund të përfitojnë edhe mijëra shqiptarë pa dokumente në Britani

Deklaratë surprizë për emigrantët ilegalë në Angli, nga Boris Johnson, kandidatit kryesor për t’i zënë vendin kryeministres së dorëhequr, Theresa May.

Në një intervistë të gjatë për gazetën “Daily Mail”, Johnson ka deklaruar se “duhet shqyrtuar mundësia e një amnistie për ata qindra mijëra emigrantë ilegalë të cilët ndodhen në Angli për më shumë se 15 vjet”.

Bërja realitet e këtij deklarimi nga Johnsoni do të thotë se me mijëra shqiptarë të palegalizuar do të mund të përfitojnë lejet e qëndrimit në shtetin ishull, transmeton Tch.

Duke folur për çështjet e emigracionin, Boris Johnson shprehu shqetësimin se në shumë zona të Anglisë, anglishtja nuk është gjuhë e parë e folur dhe kjo do të thotë se të gjithë emigrantët duhet të mësojnë anglisht.

Nga qyteti Darlington, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Anglisë, u shpreh se disa komunitete emigrantësh nuk po bëjnë sa duhet për t’u integruar në shoqërinë britanike.

“Tani unë mendoj se historia e komuniteteve që vijnë në Londër dhe jetojnë këtu është e jashtëzakonshme. Kemi parë valë migratore dhe ngadalë ata kanë ndryshuar, janë përshtatur dhe ata na kanë ndihmuar për diversitetin e kulturës sonë. Kjo është ajo që unë dua për vendin tonë”, deklaroi Jonson.

“Dëshiroj”, theksoi Johnson, “për të gjithë ata që vijnë në Britaninë e Madhe të ndihen britanikë, kjo është me shumë rëndësi por duhet të mësojnë anglisht. Shpesh shikojmë zona të tëra, përfshirë pjesë të Londrës dhe në qytete të tjera ku nuk po flitet anglisht si gjuhë e parë nga disa njerëz. Kjo me patjetër duhet të ndryshojë”, u shpreh ai.