Franca minon politikën e zgjerimit të BE-së

Koordinator i Samitit të Poznan-it, ambasadori Wieslaw Tarka, akuzoi Francën se po minon politikën e zgjerimit të BE-së.

Duke folur për DW, ai thekson se zgjerimi as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi.

Ndërkohë, socialistët në Parlamentin Europian e kanë kushtëzuar votën pro kandidates Ursula von der Leyen, si kryetare e Komisionit, me mbështetjen e saj pro bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qëndrimi i Francës duke bllokuar çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po minon procesin e zgjerimit. Kjo akuzë vjen nga ambasadori Wieslaw Tarka, koordinator i Samitit të Poznan-it.

Duke folur për DW-në, ambasadori thekson se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi të bllokut në rajon.

“Ekspertët mendojnë, se Franca po minon themelet e kësaj politike dhe nuk po propozon asnjë alternativë. Ky qëndrim do të dobësojë në masë të konsiderueshme ndikimin e Bashkimit Europian jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në gjithë vendet e tjera fqinjë me BE-në,” thekson ai.

Gjatë samitit të Poznanit u organizua dhe Forumi i Organizatave të Shoqërisë civile.

Sipas ambasadorit Tarka, ato theksuan se Bashkimi Europian duhet të ndryshojë mënyrën sesi ka funksionuar deri tani zgjerimi i bllokut me vendet e Ballkanin Perëndimor.

Koordinatori i samitit të Poznatit, ambasadori Wieslasw Tarka, bën thirrje që BE-ja të përballojë bashkë me vendet e Ballkanit Perëndimor, sfidat e tanishme, si për shembull lëvizjet migratore, terrorizmin, kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, grupi socialist në Parlamenti Europian e ka kushtëzuar votën pro kandidates Ursula von der Leyen, për postin e kryetares së Komisionit Europian, me mbështetjen për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda vitit 2019. Më herët socialistët kanë qenë skeptikë ndaj mënyrës së përzgjedhjes dhe emrit të saj.