Kryeministri i ri britanik: Brexit, një mundësi e mirë ekonomike

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson u shpreh sot se Brexit ishte një mundësi e mirë ekonomike.

Gjatë prezantimit të prioriteteve të tij, Johnson theksoi investime në rajonet që votuan pro largimit nga Bashkimi Evropian.

“Largimi nga Bashkimi Evropian është një mundësi e mirë ekonomike për të bërë gjërat që nuk na janë lejuar më parë, për dekada me radhë”, deklaroi Boris Johnson, gjatë prezantimit në Mançester të prioriteteve të tij në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës.

Ai pohoi gjithashtu se Brexit ishte trajtuar nga Theresa May, kryeministrja e mëparshme, si një fenomen që do të stimulonte një klimë aspak të favorshme në aspektin ekonomik.

Në krye të qeverisë që prej kësaj të mërkure, Boris Johnson premtoi sot investime të reja në rajonet që votuan pro largimit nga Bashkimi Evropian në referendumin e 2016. Ai siguroi se do të intensifikonte negociatat për marrëveshjet tregtare post-Brexit dhe ngritjen e zonave portuale pa taksa doganore për të nxitur ekonominë.