FILLUAN PUNIMET NË RRUGËN BUJAR ROKA

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të hënën mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Bujar Roka deri te Ura e Tabakut, në Gjakovë.

Ministri Lekaj tha se edhe ky projekt po realizohet në vazhdën e qindra projekteve tjera të cilat tashmë janë bërë realitet në Gjakovë, në Dukagjin, në mbarë Kosovën. Por shtoi se realizimi i projektit për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, do të kurorëzojë tërë punën për ndryshimin e pasqyrës së infrastrukturës rrugore në vend.

Rruga Bujar Roka deri te Ura e Tabakut, e përmbyllë qarkoren e brendshme të qytetit dhe ka gjatësi prej 2.7 kilometra. Investimi i MIT për këtë projekt në komunën e Gjakovës është mbi 3.5 milionë euro si investimi më i madh në komunën e Gjakovës, pas atij për zgjerimin e rrugës Gjakovë – Dollc.