Deputetët e rinj duhet ta arsyetojnë besimin e qytetarëve në legjislaturën e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura me 6 tetor të këtij viti.

Dy partitë që kanë dal të parat Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë tashmë kanë mbajtur gjashtë takime për të përafruar programin qeverisës të udhëhequr nga këto dy subjekte politike.

Mirëpo nga shpallja e rezultateve të kandidatëve për deputet, shihet se legjislatura e shtatë do të përbëhet kryesisht nga emra të rinj të deputetëve të cilët iu kanë bashkuar partive politike duke garuar në zgjedhje.

Analistët e çështjeve politike dhe përfaqësuesit e organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit, konsiderojnë se deputetët e rinj kanë një barrë të rëndë të përgjegjësisë ndaj votuesve të tyre.

Njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorrolli, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se populli i Kosovës me 6 tetor ka votuar për figura të reja të cilat nuk janë pengje të së kaluarës.

Qorrolli ka thënë se nga deputetët e rinj, qytetarët e kanë pritjen më të madhe.

“Votuesit tani kanë pritjen më të madhe sesa paraprakisht votuesit e kaluar të cilët kryesisht ishin barrë e një periudhe që lidhej me zhvillimet para vitit 1999 dhe përpjekjet për liri e pavarësi të Kosovës. Por tani rrethanat kanë ndryshuar radikalisht, dhe populli i Kosovës ka votuar për figura të cilat do të duhej ta zhvillonin Kosovën edhe ekonomikisht, edhe në sfera të tjera”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai ka theksuar se pritjet për këtë pjesë të re të deputetëve që përbëjnë afër 40 për qind nuk janë më pritje më për retorikë, për demagogji ose për gjëra të cilat punëdhënësi i deputetëve, në këtë rast populli i Kosovës pret nga ta.

“Deputetët e rinj kanë një barrë të rëndë, që duhet me e bind popullin e Kosovës respektivisht votuesit e tyre që ata përnjëmend do të kenë punëtorë që do ta zhvillojnë Kosovën. Në rast se ata si në të kaluarën bazohen kryesisht në retorik apo në populizëm, atëherë në zgjedhjet e ardhshme sigurisht që do të ndëshkohen. Deputetllëku nuk është punë e përhershme, është punë e përkohshme, është një mandat 4 vjeçar dhe nëse punojnë mirë do të iu vazhdohet mandati. Nëse nuk punojnë mirë do të ketë figura të reja. Kësaj radhe populli duke votuar ka treguar që nuk fal më retorikë dhe demagogji”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Jetmir Bakija nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë se numri i madh i deputetëve për herë të parë në Kuvend është një zhvillim pozitiv.

“Ata do të sjellin një energji të re dhe sigurisht motiv më të madh për të kontribuar për përgjegjësitë e Kuvendit. Po ashtu, këto zgjedhje e kanë përçuar një mesazh të qartë tek të gjithë politikanet se mos -puna në Kuvend do të ndëshkohet në zgjedhje të ardhshme”, ka thënë ai për Telegrafin.

Bakija ka theksuar se në legjislaturën e ardhshme deputetet, sidomos ata te rinj, duhet të jenë më të përgatitur për tema më konkrete ashtu siç i kishin në programe zgjedhore.

“Deputetët e rinj duhet ta kenë parasysh që gjasat për ta rifituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e ardhshme do ta kenë më të vështirë se deputetet që janë më gjatë ne Kuvend. Nëse nuk do të jenë aktiv dhe të përgatitur në bërje të ligjeve, mbikëqyrje të qeverisë, ngritje të problemeve të qytetareve dhe takime me qytetarë për hallet e tyre”, ka theksuar ai.

Allen Meta nga organizata jo qeveritare ‘D4D’, ka thënë për Telegrafin se zgjedhjet e vitit 2019 kanë treguar që qytetari votues është edhe qytetar i cili kërkon llogaridhënie dhe ndëshkon kur ajo nuk ekziston.

“Në legjislaturat e kaluara jo vetëm në legjislaturën e VI-të por edhe në legjislaturën e V-të ka pas një diskurs jo të përshtatshëm për vendin ku ishin dhe qytetarët që përfaqësonin. Si e tillë kjo legjislaturë duhet të jetë me doemos legjislaturë e cila duhet të filloj, vazhdoj e përfundoj mandatin me një diskurs profesional e përfaqësues. Po ashtu kjo duhet të jetë si shembull pasi shumë prej deputetëve të legjislaturës së VII-të do të jenë deputetë që hyjnë për herë të parë, dhe nëse diskursi i tyre nuk do të jetë profesional atëherë, mund të jetë edhe mandati i tyre i fundit”, ka thënë ai.

Meta ndër të tjera ka theksuar se deputetët e rinj mund të kenë energji, vullnet e dëshirë që të bëjnë ndryshime rrënjësore sa për të përfaqësuar qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Kjo legjislaturë në përgjithësi do të ketë temat e caktuara me të cilat domosdo duhet të merret e të cilat kërkojnë punë e kohë. Një prej tyre dhe më e rëndësishmja është edhe dialogu me Serbinë. Interesi i qytetarëve është përmirësimi i kushteve të jetesës së tyre, si në aspektin social po ashtu edhe në atë ekonomik. Ndryshimet nuk besoj që mund të jenë radikale në përfaqësim denjësor, mirëpo besoj që fokusi do të jetë që kjo të ndodhë. Përndryshe vetëdija e qytetarëve të Republikës së Kosovës është mjaftë e lartë dhe në zgjedhjet e ardhshme, mund të kemi edhe më shumë deputetë/e të rinj/reja”, ka deklaruar Meta.

Ndryshe edhe Organizata joqeveritare që mes tjerash bënë edhe monitorimin e Kuvendit të Kosovës, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një infografikë ka shpjeguar hapat drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Agnesa Haxhiu nga KDI ka shpjeguar për Telegrafin se të gjitha këto procedura duhet të ndodhin pas shqyrtimit të gjithave ankesave të subjekteve politike nga ana e PZAP-së dhe ankesave nga Gjykata Supreme.

“Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, brenda 30 ditëve pas shpalljes përfundimtare të rezultateve nga KQZ, presidenti duhet të thërras seancën konstituive të Kuvendit. Nëse Presidenti nuk e bën këtë, seanca mund të thirret nga vet Kuvendi.”, ka thënë Haxhiu për Telegrafin.

Haxhiu tutje ka theksuar se gjatë seancës konstituive duhet të verifikohen mandatet e deputetëve të legjislaturës së re, të bëhet betimit nga ana e tyre dhe më pastaj Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët e tij me ç’rast edhe konsiderohet Kuvendi i konstituar.

Ndërsa në bazë të rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 220 mijë e 811 vota apo 26,159 për qind, LDK 206 mijë e 458 vota apo 23,458 për qind, PDK ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163 për qind, AAK-PSD koalicioni 100 për qind Kosovë ka 96 mijë e 883 vota apo 11, 477 për qind, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754 për qind, Nisma-AKR-PD 42 mijë e 72 vota apo 4.984 për qind./Telegrafi/