Ambasadori britanik në darkë me Kurtin e Osmanin

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka pritur në darkë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidaten për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur, vetë ambasadori britanik, përmes faqes profilit të tij zyrtar në Facebook.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Londër, Richard Moore.

“Sonte kam pritur për darkë në Rezidencën time Richard Moore, Drejtor i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Londër, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”, ka shkruar Abbott.

Duhet theksuar se, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, së fundi ka thënë se po të shkonin gjërat mirë, marrëveshja me VV-në do të ndodhte brenda javës, por vendimi i PZAP-së për të rinumëruar 1,472 vendvotime do të ndikojë që kjo marrëveshje pa vullnetin e tyre të shtyhet për disa jave.

Vendimi i PZAP-së për anulimin e votave të ardhura nga Serbia, e lë LDK-në pa një deputet, megjithatë Mustafa ka sqaruar se pse nuk janë ankuar kundër këtij vendimi.

Mustafa ka thënë se pavarësisht se hyrja e Nismës i lë LDK-në e VV-në pa katër deputetë, nuk do të rrezikojë formimin e qeverisë.

Ai nuk e përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me këtë parti, por shton se për këtë do të vendosë partia e parë.