Pagat me rritje, në fund të dhjetorit – nëse s’ankohet Avokati i Popullit

Ministria e Financave thotë se në fund të dhjetorit shërbyesit civilë marrin pagat me rritje.

Ministria e Financave (MF) ka bërë të ditur se Ligji për Paga i miratuar në shkurt të këtij viti do të fillojë së implementuari gjatë muajit dhjetor.

Në këtë dikaster thonë se janë bërë të gjitha përgatitje për implementimin e këtij ligji dhe se shërbyesit publik muajin tjetër do t’i marrin pagat me rritje.

“Për zbatimin e Ligjit për pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor”.

“Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, thuhet në përgjigjen e MF-së dhënë për Ekonomia Sot.

Ligji për Paga në sektorin publik është miratuar në muajin shkurt të këtij viti ndërsa ka hyrë në fuqi në muajin nëntor.

Miratimi i këtij ligji është kundërshtuar me arsyetimin se kjo do të krijojë një hendek të madh ndërmjet pagave të sektorit publik me atij privat.

Për këtë në adresë të institucionit të Avokatit të popullit janë drejtuar një numër ankesash. Redaksia ka pyetur këtë institucion të cilët kanë thënë se janë në fazën e shqyrëtimit të ankeave.

Nëse Avokati i Popullit vendos që ligjin ta drejtojë për në Kushtetuese gjasat se pagat të dalin me rritje në dhjetor janë të vogla.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se ende nuk e dinë a do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese pasi ende janë në fazën e shqyrëtimit të ankesave.

“Jemi ne fazen e shqyrëtimit dhe te analizes  dhe per momentin ende nuk është perfunduar. Tani për tani nuk mundemi te paragjykojme çeshtjen”, ka thënë Jashari.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë persona. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare në sektorin publik ishte 573 euro.