Thellohet tragjedia në familjen Lala, 64 vjeçarja vdes në spital nga dhimbja e madhe

Thellohet tragjedia në familjen Lala në zonën e Kënetës që humbi tetë anëtarë të familjes nga tërmeti i tmerrshëm që i zuri brenda në banesë duke u marrë jetën.

Report Tv mëson se ditën e djeshme pas ceremonisë mortore që përcolli në banesën e fundit tetë anëtarët e familjes, Fiqirete Lala 64 vjeç ka ndërruar jetë. Një ditë pas tërmetit i ra infarkt nga dhimbja e madhe që e kaploi, pra në datë 27 nëntor.

E moshuara u dërgua në spital dhe u bë operacion, por pas varrimit të tetë anëtarëve të familjes ndërroi jetë. Fiqirete Lala është gruaja e djalit të madh të Sahadete Lalës 79 vjeçe, kjo e fundit ndërroi jetë pasi e zuri vila poshtë.

I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë prandaj është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar. Jetën e Ramë Lalës, e shpëtoi një lavatriçe.

Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake krijoi mjaft hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas të paktën 50 viktima.

Tetë anëtarët e familjes Lala që u shuan nga tërmeti tragjik
1. Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë
2. Sahadete Lala 79 vjeç – Vila tek Këneta (Gjyshja dhe mbesa)
3. Griselda Lala- 22-vjeç – Vila tek Këneta
4. Marjeta Lala 31 vjeç
5. Emilio Lala
6. Enis Lala 2 vjeç
7. Dionisa Lala 2 vjeç -binjakë (Nëna dhe tre fëmijët) në Vilën në Kënetë
8. Ilir Lala, (i paralizuar)  52 vjeç i fundit qe u nxorr nga vila 4 kateshe ne kenete