Kurti paralajmëroi marrëveshje me LDK-në menjëherë pas certifikimit, sot heshtja i ka kapluar të dy partitë

Nesër bëhet një javë që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit.

Ndonëse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte thënë se një orë pasi të certifikohet rezultati do të takohet me LDK-në në mënyrë që brenda tre ose katër ditëve të nënshkruhet marrëveshja bashkëqeverisëse, kjo gjë nuk ndodhi, raporton Indeksonline.

Kurti ka shpresuar në arritjen e marrëveshjes në kohë reale, mirëpo kështu nuk po pajtohet Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndryshe nga Kurti që ishte i bindur në arritjen e marrëveshjes së shpejtë, Mustafa kishte thënë se do të shikohet mundësia për arritje të marrëveshjes.

Dje është pritur nënshkrimi i marrëveshjes mes Kurtit e Mustafës, mirëpo ani pse zgjaten disa orë bisedimet në fund nuk pati dakordime në ndarjen e posteve.

Kurse sot, nuk ka asnjë deklaratë as nga Kurti e as nga Mustafa. Ata po heshtin derisa zyrtarët e këtyre dy partive po sulmojnë njëri tjetrin duke hedhur benzinë në zjarr./