Nehat Thaçi shkarkon Ushtruesit e Detyrave nëpër qendra korrektuese

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi ka shkarkuar të gjithë Ushtruesit e Detyrës (U.D) nëpër qendra korrektuese në nivel vendi. Ata që deri tani kanë mbajtur pozita të UD-së, sipas vendimit të Thaçit duhet të kthehen në pozitat që kanë me kontratë pune, si oficer korrektues.

Krejt kjo, sipas Thaçit, është bërë për ta respektuar ligjin për shërbimin civil i cili parasheh që koha e ushtruesit të detyrës në institucione përkatëse të jetë në afat prej tre muajsh.

Por në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, sipas burimeve të Indeksonline, personat që kanë mbajtur pozita të UD-së vazhdojnë të kryejnë punën e njëjtë, pavarësisht se ka një vendim të drejtorisë së përgjithshme që ata të kthehen si oficer.

E për këtë ka një sqarim kreu i ShKK-së, Nehat Thaçi.

“Nuk ka UD, por drejtori i atij institucioni i ka autorizuar ata persona ta kryejnë punën që e kanë kryer derisa të hapet konkursi i ri”, ka thënë Thaçi duke shtuar se sigurisht ka ndonjë tendencë nga dikush aty brenda për më nxjerr të pavërteta në shesh, por ajo që është e vërtetë tani asnjë zyrtar i Shërbimit Korrektues nuk mbanë pozitën e UD-së.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me Hamit Ademaj, Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Ai ka thënë se personat që kanë ushtruar ato detyra vazhdojnë ta menaxhojnë punën, por jo më si UD por me autorizim të veçantë.

“Nuk kemi asnjë ushtrues të detyrës. Nuk është e vërtetë. Vendimi i drejtorisë qendrore është në zbatim të plotë. Ata kanë qenë UD kurse detyrat që i kryejnë i cakton drejtori. Vendimi UD të cilin e kanë pas p.sh nga drejtoria e qendror është hedhur poshtë. Por ata e kryejnë të njëjtën detyrë p.sh caktohet vendi i punës nga drejtori i institucionit”, ka thënë Ademaj për Indeksonline.

Ai ka thënë se pagat i marrin sipas kontratës si oficer por detyrën e kryejnë jo me UD por me vendim të veçantë i cili e hedh poshtë vendimin e UD.

Ndryshe sipas vendimit të kreut të ShKK-së të cilin e ka siguruar Indeksonline, thuhet se duke u bazuar në nenin 83, paragrafi 10 të Ligjit nr.06/1-114 për Zyrtarët Publikë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës nxjerr këtë vendim: Shfuqizohen vendimet me të cilat zyrtarë të Shërbimit Korrektues janë caktuar ushtrues të detyrës në pozita tjera.

Sipas këtij vendimi, obligohen Drejtorët e Institucioneve Korrektuese që të shfuqizojnë çdo vendim më të cilin kanë caktuar ushtrues të detyrave.

Ushtruesit e detyrës pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi kthehen në vendet e punës sipas kontratës. Vendimi ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit me 11.11.2019.

Rikujtojmë se në fillim të shtatorit të këtij viti, drejtori Thaçi kishte transferuar 200 zyrtarë të Shërbimit Korrektues, në kuadër të reformës në drejtësi të cilën po e vazhdon./Indeksonline/