Bernard Challandes: Mundësi e mirë që lojtarët e rinj ta tregojnë veten, shpresoj që të befasojmë Suedinë

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka folur para ndeshjes miqësore ndaj Suedisë.

Kosova gjendet tash e disa ditë në Doha të Katarit, ku ka zhvilluar stërvitjet para duelit miqësor që do ta zhvilloj ndaj Suedisë nesër (e diel).

Takimi i Dardanëve me kombëtaren skandinave është i paraparë të zhvillohet nga ora 15:45 me orën tonë lokale, dhe Kosova është gati.

Challandes për këtë ndeshje ka ftuar shumë futbollistë nga Superliga e Kosovës dhe disa të tjerë nga ligat evropiane që nuk ka mundur t’i ftoj më parë.

Trajneri zviceran është optimist në paraqitjen e mirë të këtyre djelmoshave dhe pret ta befasojnë Suedinë.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë lojtarët për të treguar çfarë mund të japin dhe po ashtu edhe për ne një mundësi e mirë për të parë lojtarët, sidomos ata që luajnë në Kosovë, por edhe ata që janë jashtë që nuk kanë qenë deri tash pjesë e Kombëtares”, ka thënë fillimisht Challandes për faqen e FFK-së.

“Mendoj se ky kamp me kushte shumë të mira është një ide e mirë. Po ashtu, synimi është që t’i shohim disa lojtarë të rinj, jo për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, por për të ardhmen”.

“Ne kemi 11 lojtarë shumë të ri, nën moshën 21-vjeç dhe jam i lumtur që këtu kemi lojtarë shumë të ri”.

“Nuk është e lehtë as për ne që t’i shikojmë cilësitë individuale të futbollistëve në kampionatin vendor, pasi shpesh fusha nuk është e mirë. Këtu është ndryshe, sepse kemi stërvitur çdo ditë së bashku dhe kushtet kanë qenë shumë të mira”.

“Shpresoj që të befasojmë edhe me lojë të mirë”, përfundoi zvicerani.