fbpx
Memli Krasniqi: Copëtimi i MKRS-së me stil kasapi është prodhim i mendësisë...

Memli Krasniqi: Copëtimi i MKRS-së me stil kasapi është prodhim i mendësisë shkatërruese

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të ofertës së LVV-së që i ka bërë LDK-së për koalicion qeverisës.

Në këtë ofertë përveç rritjes së numrit të ministrive, është paraparë edhe ndarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për këtë ka reaguar Krasniqi, i cili ka thënë se mendësia shkatërruese që i ka dalluar në opozitë për vite të tëra, duket se do të jetë mënyra e veprimit të tyre edhe në qeveri.

Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së, ka shkruar se zhbërja e MKRS-së jo vetëm që është e pamenduar mirë, por ka edhe qëllim të keq.

Reagimi i plotë i Memli Krasniqit:

Propozimi për shuarjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është jo vetëm i pamenduar mirë, por esencialisht qëllimkeq. Nëse vërtet MKRS copëtohet me këtë stil kasapi, për ta shpërndarë atë nëpër ministri të tjera, vetëm sa për të thënë se po zvogëlohet numri i ministrive, kjo tregon më së miri mendësinë mashtruese të atyre që e kanë propozuar dhe miratuar këtë ide.

Dikasteret e Kulturës, Rinisë, Sportit, Trashëgimisë Kulturore dhe Të Drejtës Autoriale, edhe duke u mbuluar nga një ministri e veçantë, kanë pasur vazhdimisht nevojë për më shumë mbështetje dhe vëmendje nga qeveria. Ne mandatin e fundit, të gjitha këto fusha kanë shënuar përparim dhe suksese. Ndërsa, nëse në mandatin e ardhshëm ato ndahen dhe hidhen një atje, e një diku tjetër, ky do të jetë zhvillimi më negativ që mund të ndodhë për këto fusha, e mbi të gjitha për komunitetet që i përfaqësojnë ato.

Në vitet e fundit, askush nuk na ka përfaqësuar më denjësisht e asgjë nuk na ka bërë më shumë krenarë në Kosovë sesa sukseset e sportistëve dhe artistëve tanë. Në vend se këto suksese të bëhen shkas për t’i mbështetur ata edhe më shumë në mandatin e ri, kjo tentim-qeveri edhe zyrtarisht po dëshiron që t’i margjinalizojë këto komunitete, duke i degdisur ato nëpër ministri të cilat kurrë nuk do të merren seriozisht me nevojat dhe kërkesat e tyre. Sepse, Arsimi e Shëndetësia janë fusha të cilat doemos do ta dominojnë jo vetëm interesimin e atyre që do t’i udhëheqin ato ministri, por edhe identifikimin e tyre dhe vlerësimin se sa të (pa)suksesshëm do të dalin në krye të atyre ministrive.

Nëse vërtet realizohet kjo ide, do të pezullohet një pjesë e madhe e legjislacionit aktual që e zbaton MKRS, e veçanërisht Ligji për Sponsorizime, të cilin, me shumë vështirësi e kundërshtime nga këta që sot po tentojnë ta bëjnë qeverinë e re, e miratuam në mandatin e kaluar. Zhbërja e MKRS-së do ta pamundësojë zbatimin e këtij ligji, duke ua pamundësuar sportistëve, artistëve, të rinjve, klubeve sportive e institucioneve kulturore që të marrin mbështetje financiare nga sektori privat, për çka kanë shumë nevojë dhe kanë punuar e kërkuar me vite të tëra.

Për kulturën, rininë e sportin, së paku paskan diskutuar mbrapsht, por për trashëgiminë kulturore e për të drejtën autoriale as edhe një fjale e vetme. Thua se këto fusha janë aq të parëndësishme, saqë duhet zhdukur tërësisht edhe departamentet ekzistuese në MKRS. Kjo është jo vetëm e dhimbshme, por mbi të gjitha fyese dhe ofenduese. Veçanërisht për ata qindra profesionistë të trashëgimisë kulturore që punojnë në dhjetë institucione vartëse të MKRS-së, për fatin e të cilave tashmë nuk dihet asgjë. Kjo vlen edhe për të gjithë profesionistët e institucioneve të kulturës që janë në kuadër të MKRS-së.

Nuk ma ka marrë mendja se kushdo që pretendon të qeverisë me vendin, do të mund t’i zhbënte me kaq lehtësi këto dikastere kaq të rëndësishme, bile identitare dhe të pazëvendësueshme për një shtet të ri e të brishtë si Kosova. Por, tashmë shihet qartë se mendësia shkatërruese që i ka dalluar në opozitë për vite të tëra, duket se do të jetë mënyra e veprimit të tyre edhe në qeveri, nëse veç arrijnë ta bëjnë atë.