Qeveria e Kosovës mbuloi shpenzimet e disa prej të intervistuarve në Hagë

Rreth 61 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria e Specializuar që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara, (e njohur si Gjykata Speciale) me seli në Hagë.

Deri më tash, Prokuroria nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, ndërkohë që sipas Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kjo prokurori ka intervistuar më shumë se 250 persona, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria e Specializuar ka kohë që nisur hetimet kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar qasje në dokumentet publike të Qeverisë së Kosovës në lidhje me paratë e shpenzuara.

Ministria e Drejtësisë, nuk ka ofruar qasje të drejtpërdrejtë në dokumentet e kërkuara, por ka dhënë informacione rreth shpenzimeve, që përfshijnë periudhën deri në fund të vitit 2019. Bazuar në tri vendime të qeverisë, për të cilat ka ofruar informacione Ministria e Drejtësisë, del se shuma e shpenzuar arrin afërsisht deri në 61 mijë euro.

“Sipas vendimit të Qeverisë nr. 14/94 të datës 19.3.2019, janë shpenzuar mjete në shumën prej 40,000.00 € (euro); Sipas vendimit të Qeverisë nr. 10/88 të datës 05.02.2019 janë shpenzuar mjete në vlerën prej 30,000.00 € ( sipas paragrafit 3 pika 3.1;3.2 dhe 3.3 ); Shuma prej 9.187.00 € sipas vendimit nr. 10/88 të datës 05.02.2019, paragrafi 3 pika 3.1 janë kthyer mjetet në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, kjo shumë, prej 61 mijë eurove, ka mbuluar shpenzimet e dy apo tre të intervistuarve, por jo edhe personave tjerë.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se keqmenaxhimi i buxhetit të shtetit nga qeveria në dorëheqje ka qenë e pranishme në çdo dikaster, përfshirë edhe përkrahjen financiare për personat e përfshirë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ajo thotë se pavarësisht që nuk kanë qenë të obliguar që të përkrahen financiarisht, Qeveria në largim e Kosovës ka vepruar në mënyrë selektive, kur dihet që më shumë se 200 persona kanë qenë në intervistë dhe vetëm disa prej tyre kanë fituar përkrahje financiare.

Ajo thotë se nga vendimet e qeverisë zyrtarisht del se kanë qenë tre përfitues për shifrat që këta persona kanë përfituar. Vetëm për njërin nga të intervistuarit në Hagë, sipas saj, (emri i njohur për redaksinë), qeveria i ka ndarë atij 40 mijë euro.

“Duke qenë se ende nuk kemi asnjë aktakuzë të ngritur nga Gjykata Speciale e Kosovës dhe me ngritjen e aktakuzave edhe obligimet e Kosovës do të jenë më të mëdha në raport me të akuzuarit e mundshëm, mendoj se qeveria e re duhet të ketë prioritet transparencën dhe llogaridhënien edhe sa i përket kompensimeve rreth të akuzuarve të mundshëm”, tha Demolli- Nimani.

Ministria e Drejtësisë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka ekzekutuar vendimet e Qeverisë duke ofruar shërbime teknike, pasi që mjetet sipas vendimeve të sipërshënuara, janë të ndara nga kategoria e quajtur; Rezerva-Shpenzime të paparashikuara.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se të gjithë personat të cilët mund të jenë objekt i këtyre proceseve, shteti i Kosovës duhet t’u ofrojë trajtim të barabartë, gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Ai thotë se është për keqardhje se si Qeveria e Kosovës ka shpenzuar para për personat e intervistuar deri tash nga Prokuroria e Specializuar dhe nuk ka qenë transparente.

“Në këtë fazë kur ende nuk kemi aktakuza, një numër i caktuar i tyre [persona të intervistuar] kanë marrë me dhjetëra mijëra euro të cilat i ka mbuluar Qeveria e Kosovës, pra në mungesë të plotë të transparencës”, tha Miftaraj.

Fillimi i punës së Gjykatës Speciale dhe procedimi i aktakuzave eventuale, do të ndikojë edhe te buxheti i Republikës së Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, personat kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar. Po ashtu, i njëjti Ligj u siguron mbulimin e shpenzimeve edhe familjarëve gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Për mbulimin e këtyre shpenzimeve Qeveria e Kosovës, pati thënë se ka ndarë 1.5 milion euro./rel/