Osmani: Askush nuk mund ta thotë datën e saktë për liberalizimin e vizave

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se askush në Kosovë nuk mund të thotë saktë datën e liberalizimit të vizave, pasi sipas saj, kjo çështje është përtej institucioneve të Kosovës.

Osmani pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se duhet një angazhim shumë konkret i institucioneve të vendit dhe i shoqërisë civile lidhur me këtë çështje.

“Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova ka përmbushur kriteret por vendimi final i takon shteteve anëtare. Duhet angazhim shumë konkret dhe i organizuar… Shpresoj që gjatë udhëheqjes së Kroacisë të kemi përpjekje serioze që kjo çështje të vendoset në agjendë dhe në qoftë se jo tani atëherë në gjashtëmujorin e ardhshëm së paku ta kishim një  vendim pozitiv. Tema është sa mund t’i bindim disa prej shteteve të mëdha që akoma kanë hezitime që kjo çështje të vendoset në agjendë dhe pastaj të votohet me shumicën e nevojshme”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se beson që pas deklaratave të presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka arsye edhe Republika e Kosovës të inkurajohet se këto procedura mund të shkojnë më shpejtë, raporton Telegrafi.

“…Por nuk besoj që dikush në Kosovë mund të jap datë të saktë se kjo është çështje përtej nesh”, tha ajo.