Trump e pranon se ishte futur në bunker, por jo për shkak të protestave para Shtëpisë së Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportet se ishte futur në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje gjatë protestave kundër-racizmit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Trump i tha radios Fox News se ai zbriti gjatë ditës për një “periudhë të vogël” për një “inspektim”.

Siç edhe dihet, përveç vendeve tjera, ka pasur protesta edhe në afërsi të Shtëpisë së Bardhë – të cilat në gjithë SHBA-në po zhvillohen me ditë të tëra mbi vdekjen në arrest të George Floyd.

Edhe pse disa janë shndërruar në dhunë, sekretari i mbrojtjes ka thënë se ai nuk mbron vendosjen e “forcave aktive”.

Mark Esper tha të mërkurën se nuk e mbështet thirrjen e Aktit të Kryengritjes, i cili do të mundësonte vendosjen e trupave federale për zbatimin e ligjit vendas.

“Opsioni për të përdorur forcat aktive duhet të përdoret vetëm si çështje e fundit dhe vetëm në situatat më urgjente dhe të tmerrshme. Ne nuk jemi në një nga ato situata tani”, tha ai.

Kjo shënon një ndarje me presidentin Trump, i cili ka kërcënuar të përdorë aktin e vitit 1807 dhe të thërrasë trupat për të “pushuar” demonstratat.

Vdekja e afro-amerikanit George Floyd, qafa e të cilit u shtyp nga gjuri i një polici të bardhë në Minneapolis, ndezi protesta të gjera.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar në të gjithë Shtetet e Bashkuara për tetë ditë kundër racizmit dhe vrasjeve policore të amerikanëve me ngjyrë, ndërsa kërkojnë gjithashtu një fund të racizmit dhe diskriminimit.

Çfarë tha presidenti Trump?

Ai ishte duke folur në radio me Brian Kilmeade të Fox, si dhe duke postuar një numër të tweet-ve mes kritikave të vazhdueshme për reagimin e tij ndaj trazirave.

Ndërkohë, një raport në New York Times citoi një burim duke thënë se Trump u fut në bunker të premten në mbrëmje me truproja.

“Ishte një raport i rremë”, tha zoti Trump, duke shtuar: “Unë isha atje për një periudhë të vogël, të shkurtër. Dhe ishte më shumë për një inspektim… mbase dikur ju do të keni nevojë për të”.